Kryetarja e Shtabit të Emergjencave për qarkun e Durrësit Rovena Voda, inspektoi mesditën e së premtes një nga komplekset e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, në qytetin e Durrësit, kompleksin “Jedas” në lagjen nr.17. Voda e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Durrësit, Zhyljen Varfaj, ka qetësuar banorët se nga grupet e inspektimit po bëhet punë cilësore dhe serioze të cilët kanë arritur në përfundim se ky kompleks nuk do të shembet.

“Pallati ka dëmtime të rënda por nuk do të shembet, kjo ndërtesë ka nevojë për rikonstruksion të plotë dhe të thellë. Dhe sigurisht për një project të mirë që banorët të mund të keni siguri për banesat e tyre”, tha Voda.

Zvministrja e Brendshme Rovena Voda i është përgjigjur dhe shqetësimit të ngritur nga lideri i opozitës për punën e grupeve në terren. Voda tha se janë 23 grupe në qytetin e Durrësit që po punojnë në terren. Sipas saj, janë 83 ekspertë mes tyre dhe të huaj që po bëjnë punë voluminoze në terren. Në lidhje me strehimin e përkohshëm të banorëve të kompleksit “Jedas”, Voda tha se janë marrë të gjitha masat për akomodimin e tyre në qendrat hoteliere.