Banorët e bllokut të pallatave në rrugën “Aleksandër Goga” pranë gjykatës, kanë marrë zgjidhje për furnizimin me ujë të pijshëm. Bashkia e Durrësit nëpërmjet Ujësjellës Kanalizimeve po kryen një investim të rëndësishëm duke zëvendësuar linjën e vjetër me një rrjet të ri ujësjellësi, çka jo vetëm do të evitojë humbjet për shkak të amortizimit, por do të garantojë dhe një cilësi më të mirë me ujë për qytetarët. Lajmin e mirë e jep Kryetarja e Bashkisë Valbona Sako, e cila përmes një postimi në Facebook, deklaron se menjëherë pas kësaj ndërhyrje, do të nisë puna për shtrimin e rrugës. “Grupet tona në terren po punojnë për përfundimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në rrugën “Aleksandër Goga”.

Ndërhyrja konsiston në zëvendësimin e rrjetit të amortizuar, për të siguruar cilësi më të mirë në furnizimin me ujë për mijëra banorë të kësaj lagjeje.
Menjëherë pas investimit në rrjetin e ri, do të vijojmë punën edhe për shtrimin e rrugës sipas të gjitha standardeve”, thekson Sako. Specialistët e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve po punojnë shpejt për të vënë në funksion rrjetin me tubacione të reja për banorët e kësaj zone. Krahas zgjerimit të hartës së zonave me furnizim me ujë të pijshëm, UKD ka ndërhyrë edhe në zona të tjera të qytetit duke iu përgjigjur në kohë të shpejtë çdo shqetësimi të qytetarëve të krijuar në çdo lagje.