Kryeministri Edi Rama vizitoi sot banorët e strehuar në Durrës, në hotel “Dolce Vita”, ku 352 familjarë kalojnë në kushte optimale, këtë fazë kalimtare nga tragjedia drejt sistemimit përfundimtar në banesat e reja.

Rama tha se “aktualisht janë mbi 4 mijë banorë të prekur që trajtohen në hotelet bregdetare, me mbështetje 100% nga shteti jo vetëm për strehimin e ushqimin, por edhe për ilaçet e për çdo nevojë tjetër”.

“Deri për Vitin e Ri do të rrini këtu, do t’i kaloni këtu edhe festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dhe pastaj do të spostoheni të gjithë në shtëpi me qira”, tha Rama.

Duke folur për procesin e vlerësimit të dëmeve, Rama tha se “izraelitët janë nga më të mirët në botë, na kanë ndihmuar shumë, pasi ata janë pak më fleksibël, se kanë parë shumë”.

Rama tha se “ato ndërtesa që kanë pësuar dëme, por janë të banueshme do t’i riparojmë, ndërsa çfarë nuk bëhet, do ta bëjmë të re”.

“Godinat e reja e kanë mbajtur shumë mirë goditjen se ka qenë shumë i fortë ky tërmet. Njerëzit këtu flasin përçart dhe bëjnë sikur i dinë të gjitha, por të shikosh videot e tërmeteve në Japoni janë si valle dhe kur ka tërmet aty janë fshirë qytete në Japoni. Pra, nuk është çështja vetëm te ndërtuesit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “probleme serioze kryesisht janë ndeshur në pallatet silikate, pallatet e vjetra të viteve ’70 që janë ndërtuar me punë vullnetare ose disa të reja të bëra në fillim të viteve ’90 pa projekt tamam dhe pa kompani”. “Po ashtu edhe tek ato godina që kanë bërë shtesa pa leje. Pastaj një tjetër rast është ai i banesave individuale që janë bërë me tela bunkerësh e mistri”, tha Rama.

Godinat e reja, sipas tij, “janë dëmtuar më shumë në muraturë, kjo nuk është bërë mirë, pasi strukturat i kanë bërë mirë, se po të ishin edhe strukturat si muret do të ishte bërë varr masiv”.

Kryeministri theksoi se “hetimet po vazhdojnë dhe po bëhen hetime intensive”. “Janë rreth 60 dosje që po shihen. Sot kanë bërë ca arrestime. Kush është përgjegjës do të dalë përgjegjës, kush ka legalizuar gjëra të palegalizueshme do hetohet”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se thelbi është që godinat nga ana e strukturës kanë mbajtur, por do pak kohë për të dhënë vendimin definitiv se nuk është kollaj. “Te pallatet duhet të marrim 100% OK. Ka dhe raste që mund të riparohen, por shkon më shtrenjtë se ta bësh të re”, tha Rama.

Duke iu drejtuar banorëve, Kryeministri tha se “ju jeni këtu për hall, nuk jeni për qejf, por ky është tamam turizëm dimëror”.

“Në ato momente gjëja e parë që më shkoi në mendje ishin hotelet. Këta dolën si vullnetarë, por ne u thamë lërini vullnetarizmat, por bëjmë një marrëveshje ku ne i paguajmë për të gjitha shërbimet me një nivel të arsyeshëm, që as ata të mos dalin me humbje dhe ne të kemi sa më shumë mundësi. Ishte zgjidhje, se ndryshe nuk e di”, tha Rama.

Kryeministri tha se “tani që flasim të gjithë që janë në zonë urbane janë sistemuar ose janë në shtëpi me qira ose në hotele”.

“Ne i kemi garantuar për 1 vit me qira, se besoj brenda një viti pjesa më e madhe do sistemohet. Ata në fshat do t’i sistemojmë maksimumi brenda gjysmës së vitit tjetër. Do sjellim shtëpi të reja”, tha Rama.