Mbi 139 mijë udhëtarë me afro 34 mijë autovetura kanë shfrytëzuar tragetet e linjës nga porti i Durrësit gjatë periudhës 1 – 15 gusht 2019. Nga të dhënat operative të Autoritetit Portual Durrës, mësohet se afro 96 mijë udhëtarë kanë mbërritur në portin më të madh të vendit nga portet e Barit, Ankonës dhe Triestes (Itali).

Bashkë me ta, në Durrës kanë zbritur nga tragetet edhe 23.543 autovetura – shtuan burimet e sipërcituara. Ndërkaq në të njëjtën periudhë 15 – ditore, 43.157 udhëtarë të tjerë me 10,249 autovetura janë nisur nga Durrësi drejt porteve të Italisë.

Nga të dhënat operative për datat 1-15 gusht 2019 mësohet se tragetet kanë transportuar edhe 2,849 kamionë dhe trajlerë me mallra të ndryshme.