Në qytetin e Durrësit nuk do të ketë më kioska që tregtojnë produkte ushqimore pranë shkollave 9 vjeçare dhe të mesme. Bashkia e Durrësit ka nisur një aksion për largimin e këtyre kioskave, me qëllim rritjen e sigurisë ushqimore tek fëmijët.

Në kuadër të kësaj nisme, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit në Durrës (IMT) i mbështetur nga policia bashkiake ka nisur punën për largimin e këtyre kioskave. Shpeshherë këto kioska kanë qenë burim helmimi, për shkak se tregtojnë ushqime të pasigurta dhe në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare për fëmijët.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, publikoi sot disa fotografi nga ky aksion. “Jo më kioska informale pranë shkollave. Fillon tashmë aksioni i heqjes së tyre nga hapësira publike”, shprehet Sako. Bashkia e Durrësit ka vendosur që të heqë të gjitha kioskat pranë shkollave të qytetit, por ky aksion do të përfshijë edhe ato në fshatra.