Që prej disa ditësh në portin e Durrësit ka nisur rikthimi masiv i bashkëatdhetarëve që kaluan pushimet verore pranë familjeve të tyre në vendin tonë, Kosovë dhe Maqedoni.

Nga të dhënat operative ditore të Autoritetit Portual Durrës, mësohet se vetëm në periudhën 16-19 gusht tragetet që nisen drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Triestes janë shfrytëzuar nga 25,686 udhëtarë vendas dhe të huaj me rreth 6 mijë autovetura gjithsej. Ndërkaq në Durrës në të njëjtën periudhë kanë mbërritur me tragete vetëm 11 mijë udhëtarë me 2,541 autovetura.

Shtatë tragete po lundrojnë në linjat nga Durrësi drejt Italisë e anasjelltas, dhe në ditë të veçanta po kryejnë edhe dy lundrime në 24 orë. Fluksi i udhëtarëve drejt Italisë pritet të vijojë deri në mesin e muajit shtator.

Sipas të dhënave operative të APD, gjatë periudhës 1–19 gusht tragetet nga/drejt Durrësit janë preferuar nga 175,715 udhëtarë me 42,310 autovetura gjithsej.