Në qytetin bregdetar të Durrësit u zhvillua sot ekspozita me temë “Dita pa makina” e organizuar në kuadër të “Javës Europiane të Lëvizshmërisë” nën kujdesin e Këndit të BE. Në çeljen e ekspozitës ishte e pranishme edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, e cila tha se “jam krenare për punimet e realizuara me kaq përkushtim dhe kreativitet nga nxënësit e disa shkollave 9 vjeçare dhe të mesme të qytetit”.

Në këtë ekspozitë fëmijët prezantuan punimet e tyre, si dhe u ndanë çmimet për fituesit e ekspozitës sipas kategorive të përzgjedhura. Pjesë e aktivitetit ishte pedalimi i biçikletave nga fëmijët në sheshin “Iliria” përpara Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu”. Ky aktivitet vjen si përmbyllje e një sërë aktivitetesh që janë organizuar nga bashkia Durrës për Javën Europiane të Lëvizshmërisë.