Të dhënat e transportit të udhëtarëve dhe mallrave me tragete nga porti i Durrësit gjatë periudhës janar – tetor 2019 dëshmojnë për shifra më të larta se sa në 10-mujorin e vitit të kaluar.

Nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se në 10 muajt e parë të këtij viti tragetet janë shfrytëzuar nga 778.554 udhëtarë vendas dhe të huaj gjithsej, pjesa më e madhe e të cilëve kanë preferuar mjetet e mëdha lundruese në kahjen Durrës-Bari dhe Durrës-Ankona-Trieste.

407,779 udhëtarë me 79,868 autovetura janë nisur nga Durrësi në këto 10 muaj , ndërsa 370,775 udhëtarë dhe 81,738 autovetura të tjerë kanë mbërritur me tragete në portin më të madh të vendit tonë.

Tragetet kanë kryer 885 lundrime gjatë këtyre 10 muajve, 34 më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2018.

Ndërkaq, numri i udhëtarëve ka pësuar rritje me 3 përqind. Një rritje prej 29 përqind ka shënuar edhe numri i trajlerave që shfrytëzojnë tragetet për transportin e mallrave.