Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizojnë më 11 nëntor, konferencën e parë rajonale për administrimin e gjykatave dhe menaxhimin e çështjeve.

Konferenca zhvillohet në bashkëpunim me projektin e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Mbështetje për efikasitetin në drejtësi” dhe projektin e USAID-it “Drejtësi për të gjithë”, si edhe me kontributin e veçantë të Shkollës së Magjistraturës.

Pjesëmarrësit nga i gjithë rajoni do të shkëmbejnë përvojat e tyre në administrimin sa më të efektshëm të gjykatave dhe menaxhimin e çështjeve gjyqësore.

Konferenca zhvillohet brenda kornizës së projektit “Drejtësi pa vonesë”, që zbatohet nga Prezenca e OSBE-së, me mbështetjen financiare të Agjencisë Austriake të Zhvillimit dhe që ka për synim rritjen e efikasitetin të proceseve gjyqësore në Shqipëri.