Ditën e sotme Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi fillimin e procedurës së përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatëve, nga radhët e juristëve të spikatur (jo-gjyqtarë), për pozicionet e lira. Pas kësaj vendimmarrje, Këshilli caktoi relatorët.

Dje, KLGj-ja kualifikoi si kandidatë nga radhët jashtë sistemit gjyqësor për 3 vendet vakante të Gjykatës së Lartë: Ervin Pupe, (Drejtues i Dhomës së Avokatisë), Ilir Pandën (Ministër i Drejtësisë në vitet 1999-2000 dhe nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitet 2003-2007) dhe Sokol Sadushin (Drejtor i Shkollës së Magjistraturës).

Gjykata e Lartë duhet të ketë 19 anëtarë, ku 16 prej tyre duhet të jenë gjyqtarë karriere dhe 3 nga avokatia, shoqëria civile, pedagogë ose jurist i shquar me mbi 15 vjet punë. Të parët që do të zgjidhen për anëtarë të kësaj gjykate, do të jenë 3 anëtarët që vijnë nga jashtë sistemit të drejtësisë, pra pikërisht emrat e lartpërmendur për të cilët do të vendoset nesër.

Aktualisht në Gjykatën e Lartë ushtron detyrën vetëm një gjyqtar pasi të tjerët u shkarkuan nga procesi i vetingut ose dhanë dorëheqjen. KLGJ komandoi pak kohë më parë gjyqtarë të gjykatave të Apelit për të mundësuar shqyrtimin e disa çështjeve emergjente, kryesisht mbi ekstradimet. Kështu pas Kushtetueses po shkon drejt ngritjes edhe Gjykata e Lartë.

Pas hedhjes së shortit u vendos:
Caktimi i z. Alban Toro, si relator për procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatëve, nga radhët e juristëve të spikatur (jo-gjyqtarë), për pozicionin e lirë të shpallur me Vendimin nr.108, datë 09.07.2019, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Caktimi i znj. Marcela Shehu, si relator për procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatëve, nga radhët e juristëve të spikatur (jo-gjyqtarë), për pozicionin e lirë të shpallur me Vendimin nr.109, datë 09.07.2019, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Caktimi i z. Ilir Toska, si relator për procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatëve, nga radhët e juristëve të spikatur (jo-gjyqtarë), për pozicionin e lirë të shpallur me Vendimin nr.110, datë 09.07.2019, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Caktimi i z. Dritan Hallunaj, si relator për procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë të kandidatëve, nga radhët e juristëve të spikatur (jo-gjyqtarë), për pozicionin e lirë të shpallur me Vendimin nr.172, datë 11.09.2019, të Këshillit të Lartë Gjyqësor.