Qyteza e Polit të Veriut në Alaskë, merr me qindra mijëra letra që fëmijë ia dërgojnë Babagjyshit. Nuk ka nevojë për adresë, mjafton të shkruash “To Santa, North Pole, Alaska” dhe do marrësh një përgjigje autentike nga “elfët” vullnetarë të qytezës.

Nxënës, nëpunës administrate, ushtarakë etj., angazhohen në periudhën e festave për t`u kthyer përgjigje letrave nga e gjithë bota… Është një emër që nuk ka nevojë për adresë. Të gjithë e dinë se Babagjyshi jeton në Polin e Veriut.

Letrat që i dërgohen atij shkojnë në qytetin e vogël të Polit të Veriut, thellë në Alaskë, vetëm 30 minuta në juglindje të Fairbanks. Këtu vizitorët mund të udhëtojnë me drerë, t`i lexojnë letra Babagjyshit dhe nëse janë me fat, mund të shohin dhe plakun e moçëm teksa punon me listën e tij të fëmijëve të prapë e të mbarë.

Çdo letër që i adresohet Babagjyshit në Polin e Veriut, dorëzohet këtu. Qindra, mijëra letrat lexohen dhe atyre që është e mundur, iu kthehet përgjigje nga Babagjyshi ose nga një prej ndihmësve të tij të shumtë.

Nxënësit e gjimnazeve dhe personeli ushtarak, bashkë me familjet e tyre janë të zënë gjithë kohën duke iu kthyer përgjigje këtyre letrave.

Në një vit mbërrijnë më shumë se 120.000 letra nga 26 vende, pa llogaritur mijëra të tjerat që nuk kishin shkruar adresën nga vinin. Ata që e shkruajnë adresën, zakonisht marrin përgjigje dhe një pullë nga Poli i Veriut, si simbolikë festive. Letrat vërshojnë gjatë gjithë vitit në komunitetin me 1.600 banorë, ku rrugët kanë emra si Babagjyshi i Vitit të Ri dhe Kris Kringëll.

Edhe letrat pa pullë pranohen, një përjashtim i rrallë për shërbimin postar amerikan. Letrat marrin një shenjë anulimi nga zyra postare e Polit të Veriut, bashkë me një vizatim të fytyrës së Babagjyshit dhe një koment të tipit: “Faleminderit që na shkrove. Babagjyshi ka qenë shumë i zënë”.

Kjo është gjithçka që fëmijët duan të dëgjojnë.

/Living/