Grupi i deputetëve të PD-së në Parlament, kryesuar nga Korab Lita, që ka kërkuar shkarkimin e Rudina Hajdarit si kryetare e grupit parlamentar, është përçarë.

Halit Valteri është tërhequr nga firma që ka hedhur për kërkesën e shkarkimit të Hajdarit dhe i ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për ta vënë në dijeni.

“Klithjet e fundit për të devijuar kauzën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, apo britmat kundër Reformës në Drejtësi, në “dobi” të disa aktorëve të tjerë brenda apo jashtë Parlamentit, nuk mund të pastrojnë apo mbrojnë kurrësesi imazhin e grupit të kolltukofagëve 30 vjeçar, që vazhdojnë e nginjen në plagë të infektuara, duke bërë pazare në kurriz të Shqipërisë.

Për sqarim të kolltukofagëve, Grupi Parlamentar Demokrat ka një kauzë dhe ajo është më e SHENJTË, se secili emër që mund ta drejtojë këtë grup.

Patjetër që ka debat konstruktiv brenda grupit, por kurrë s’do të pranojmë të bëhemi peng të askujt, që u pasurua duke varfëruar, e që sot kërkon të mbrojë milionat me votat e atyre që i larguan.

Për të gjithë ata të cilët janë shqetësuar nga një status që qarkulloi në rrjetet sociale, dua t’i shpjegoj, se parlamenti është institucion dhe si i tillë funksionon me shkresa, jo me statuse FB-je”, shkruan Valteri.

Edhe Myslim Murrizi thotë se është kundër shkarkimit të Hajdarit.

Murrizi tha se nuk do të ngatërrohet me atë se cfarë ka ndodhur në Tiranë, sepse nuk është në dijeni të situatës dhe pse është kryer ky veprim, pasi ai vetë ndodhet në Londër në një aktivitet të NATO-s.

Megjithatë ai theksoi se e mbështet Rudina Hajdarin në detyrën që ka, pas vendimit që ajo tha se do të vazhdojë të drejtojë Grupin Parlamentar demokrat.