Një ngjarje e rëndë është raportuar dje në stacionin policor të Mitrovicës, ku një hoxhë ka pretenduar se është kanosur.

Një incident i rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Mitrovicë, ku një Hoxhë pretendon se është kanosur nga një grua.

Hoxha i cili është i martuar dhe me dy fëmijë nga Zhabari, është gjuajtur me armë nga një grua, të cilës i kishte premtuar se do të martohej me të pasi të ndahej nga bashkëshortja.

Pas mesnatës, gruaja ka shtënë me revole pasi nuk realizoi planin e saj që kishte me hoxhën. Plani ishte për martesë, pasi ishin në lidhje, mirëpo hoxha kishte ndërruar mendje.

Pas veprimeve hetimore, është arrestuar e dyshuara S. T., 28 vjeçare, nga e cila është sekuestruar një armë e llojit pistoletë. Pas procedurave intervistuese, me urdhër të prokurorit të rastit, të dyshuarës i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

“Sipas deklarimit të viktimës, bëhet e ditur se ai ishte kanosur nga e dyshuara femër, e cila në kanosje kishte përdorur edhe armën, ku në vendin e ngjarjes nga hetuesit policorë është gjetur dhe është konfiskuar një gëzhojë.

Ndërsa nga veprimet tjera hetimore më vonë ka rezultuar që të identifikohet dhe të arrestohet e dyshuara S. T., 28 vjeçare, nga e cila është sekuestruar një armë e llojit pistoletë e cila dyshohet të jetë përdorur në veprën penale.

Bazuar në deklaratën e ankuesit dhe elementeve tjera rrethanore, përfshirë edhe provat materiale, janë ndërmarrë hetime të nevojshme policore, të cilat i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku është sugjeruar që rasti të iniciohet dhe të hetohet si vepër penale ‘kanosje’ dhe ‘përdorim i armës’”, ka njoftuar policia e Kosovës.

“Klan Kosova” shkruan se i njëjti Hoxhë, që u ankua se ishte kanosur, ka bërë të njëjtën gjë ndaj ekipit të gazetarëve që kanë shkuar për të raportuar historinë.

Një anëtar i familjes së Imamit të xhamisë së Zhabarit, ka kërcënuar gazetaren dhe kameramanin se nëse transmetohet kronika për incidentin që i ndodhi hoxhës do të paguajnë me jetë.

“Nëse publikohet vetëm një sekuencë për këtë rast, ose ti ose unë do të jemi mbi tokë”, ishte kërcënimi i familjarit të hoxhës.