“Kuvendi është legjitim edhe me djegien e mandateve të opozitës, por ky akt i paprecedent dëmton rëndë integrimin e Shqipërisë në BE”, – tha sot deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja në një intervistë televizive.

Manja u shpreh sot se djegia e mandateve të opozitës është një situatë e paprecedentë.

Manja argumenton se “Kushtetuta në Nenin 71, ka parashikuar rastet e ndërprerjes së mandatit të deputetit. Kodi Zgjedhor në Nenin 164 të tij përcakton rastet se si veprohet kur një deputet heq dorë nga mandati”.

“Nuk e di sa seriozisht e ka opozita për djegien e mandateve, por Kodi Zgjedhor e ka përcaktuar qartë se nuk vlen asnjë marrëveshje paraprake, individuale apo kolektive. I vetmi rast që ka parashikuar Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor se si ndërpritet mandati është akti individual i çdo deputeti të opozitës për të hequr dorë nga mandati dhe Kuvendi pasi administron heqjen dorë nga mandati ia dërgon KQZ-së”, – tha ai.

Po ashtu, Manja tha se opozita ka një vendimmarrje politike, por mënyra se si veprohet e ka përcaktuar Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.

“Deri më tani, askush nuk ka hequr dorë nga deputetët e opozitës siç e kërkon Kushtetuta. Mandatet nuk janë të PD-së, sepse deputetët e kanë fituar në mënyrë individuale mandatin. Sepse në fund të fundit, ne jemi në një demokraci përfaqësuese, ato mandate janë të sovranit dhe nëse opozita ka vendosur t’i braktisë, kjo është çështje e opozitës. Dhe për mua nuk është serioze. E dini çfarë kërkon opozita? Pasi kanë kaluar dy vjet nga zgjedhjet, kërkon një qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër, sepse “më kanë vjedhur zgjedhjet”. Kur e mori vesh se u vodhën zgjedhjet? Kur KQZ dha vendimin, kur faktori ndërkombëtar OSBE/ODIR i njohu dhe i certifikoi zgjedhjet?!” – tha ai.

“Dëmi më i madh i bëhet vendit dhe është i pallogaritshëm”, – shtoi Manja, pasi na ndajnë pak muaj nga prezantimi i paketës së zgjerimit nga Komisioni Europian dhe në qershor do mblidhet Këshilli për t’u shprehur për negociatat e Shqipërisë me BE.

“Për mua qëllimi i vërtetë i këtij qëndrimi të opozitës nuk janë thjesht zgjedhjet dhe këtë e them me kompetencë. Kanë dështuar të pengojnë Reformën në Drejtësi, ngritjen e SPAK dhe BKH. Parlamenti nuk ka asnjë instrument në dorë për të ngritur këto instrumente të reja, përveçse buxhetimin e këtyre institucioneve. I djegin apo jo mandatet nuk e pengon ngritjen e kësaj strukture”, – deklaroi kryetari i Komisioneve të Ligjeve.

“Në kulmin 48 orë pas protestës së opozitës, dhe kur PD deklaronte dje vendimmarrjen e mandateve, Berisha gjente kohë të sulmonte një anëtare të KED. Kush ka bërë mëkate, kush ka bërë korrupsion, drejtësia e re që po rritet SPAK dhe BKH do merret me zyrtarë. Qëllimi real i opozitës është të sabotojë sa të mundet çeljen e negociatave. Këtë duan ata, që SHBA dhe BE të mos kenë një sy tek Shqipëria”, – tha Manja.

Për sa i përket funksionimi të Kuvendit pa mandatet e opozitës, Manja u shpreh se për të gjitha këto e ka dhënë zgjidhjen Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor.

“Kushtetuta e ka përcaktuar qartë se Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë të zgjedhur sipas sistemit proporcional rajonal dhe po Kushtetuta në nenin 78, thotë se Kuvendi vendos me shumicën e votave, dhe kjo do të thotë se me 71 deputetë është legjitim. E vetmja gjë që nuk bën Kuvendi është se nuk miraton ligje me shumicë të cilësuar 84 vota, por le të presim nëse do t’i djegë apo jo opozita mandatet, mbetet për t’u parë. A e kanë më të vërtetë, apo jo?!” – tha ai.