Nga Kristo Mërtiri/

-Halli hallit nuk i ngjan, o bir ! Kur rrëzohet guri i madh, mos e harro, merr me vete gurë të vegjël,-na thoshte jo rrallë nëna jonë halleshumë.

Ylli Nino fliste pak. Vecse heshtja e tij sikur gjëmonte më tepër, në atë tavolinë të thjeshtë kafeneje midis dy Arkivave qëndrorë poshtë ish stacionit të trenit në Tiranë. Pyetjet e mia ndoshta i janë dukur si cengelë të mundimshëm për të mësuar ca të vërteta helm. Të vërteta që pikojnë pikëllim e brengë tërë jetën, tek të vdekur e të gjallë. U njohëm te dera kryesore e Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Ashtu i drojtur a i përmbajtur në komunikim me nëpunësin ushtarak të sportelit të pritjes, interesohej për sigurimin e dokumenteve zyrtare që i nevojiteshin për daljen në pension. Vinte nga Kreta e Greqisë. Po e shikoja me vëmendje dhe aty për aty dallova një sfilitje jo të zakonshme refugjati. Sfilitje që unë e kam paguar në kurriz, familjarisht. Po kalojnë vite dhe jam njëlloj i ndieshëm si dikur, përballë asaj arratie biblike. Në cdo kohë e në cdo mjedis që ndodhem. Por…kur dëgjova edhe emrin e Tepelenës time, nuk më bënin këmbët të largohesha indiferent a moskokëcarës. Madje, punonjësit të sportelit iu luta njerëzisht ta ndihmonte sa më shpejt atë refugjat që deri ato caste nuk i dija as emrin e as mbiemrin. E prita te shkallët dhe e ftova për një kafe. I njëjti portret edhe kur doli nga zyrat pa mbaruar punë. E njëjta qetësi durimmadhe si në fillim. I njëjti vështrim i zgjuar e i kthjellët. Po trokiste mesmarsi i sivjetëm…

I dukej vetja i huaj në kryeqytet ! Aty ku kish lindur e qe rritur, pranë pallateve “Agimi”, te Shallvaret. Punonte në Kombinatin Tekstil. Por një ditë u përmbys gjithcka. Vetë jeta, ëndrrat rinore. Rrufetë politike ranë papritur e pakujtuar : Babai u dënua dhe u internua ! U shuan sa hap e mbyll sytë meritat e tij në Luftë e në Punë. Gjithë familja u degdis me përdhunë, përtej pasarelës shekullore mbi Vjosë. Nëpër këmbët e fshatit të Ali Pashës, në Becisht. Lum e përrua ! Një fat tragjik, me plot të panjohura e të pasosura. Një dramë e dhimbshme e drithëruese në izolimin absurd. Punëtor krahu në ndërmarrjen bujqësore. Shikonin e flisnin vetëm me një kupë qielli të grisur, përmes mjegullnajës shpirtërore rrokullimë. Qytetarët që zbrisnin cdo mëngjes nga kalaja e lashtë për të punuar, në fillim nuk guxonin as t’i përshëndesnin në ara e vreshta. Edhe pemët, edhe fletët e hardhive mund të pëshpërisnin për zbutjen e “luftës së klasave”. Damka e të deklasuarit do i ndiqte këmba-këmbës në vite ! Vetë pagëzimi “i internuar” lëshonte xixa “vigjilence”, qëndrime e fshikullima “parimore” për cilindo. Aq më tepër për ndonjë operativ me spaleta dhe hetues dhelpërakë, që duhej të jepnin prova konkrete në detyrë e për ngjitje të cuditshme në karrierë. Prandaj cdo “gjah” i kapur ishte si “mbarësi e fitore” në profesion. E pse jo, edhe pak kapardisje provinciale e vulgare. Sidomos mbi ata fatzinj që jeta i kish zënë me gurë befasisht, tinëzisht e padrejtësisht, thjesht për “faj” të tjetërkujt në familje, fis a krushqi. Haraci i pamëshirshëm u kërkohej të gjithëve, me soj e sorollop !…

Thonë se nata nuk ka shahit. Por ama i kishte veshët ngrehur e pipëz edhe për familjen e juristit Petro, me rrënjë nga Sopiku i Sarandës. Në bisedë me të birin Ylli, sa herë përmendej fjala pension, e pushtonte një hije e rëndë trishtimi e pengu. Por i bëhej edhe një si komb aspak gëlltitës në grykë. Përse vallë ? Dikur, i jati mori më në fund pak orë “leje” nga vendi i internimit dhe erdhi në Tiranë. Do dorëzonte ca dokumente pensioni. Por mjerisht, zemra e tij pushoi së rrahuri përgjithmonë. Plasi këtu, në kryeqytet ! Gremisi qepallat e sytë dhe iku heshturazi në atë botë…Halle mbi hallet sa një mal. Askush nuk e dinte fundin e kalvarit të pamerituar. Ujkonja e “luftës së klasave” po hante njerëzit e vet. Dramë tragjike me shumë akte zezona ! Fjala vjen, nenit-cark 55 “për agjitacion e propagandë”, qelive të tij nuk i shpëtonin dot as të internuarit. Si kontigjent përherë parafabrikat e mbi “gjysëm të gatshëm”. Një ditë prej ditësh, vëllait të Yllit i hodhën prangat “në emër të popullit” ! E dënuan me 8 vite burgim…

-Pak më vonë, kur na rrëmbyen e prangosën edhe Nënën, më ra në kokë shushama. Mbeta gojëkycur, ditë e natë. Nuk paska dëshpërim e helmim më të madh për njeriun ! E dënuan 7 vjetë. Me të njëjtën akuzë si vëllanë. Se kush i jepte urdhërat, as sot nuk e di. Dhe as kam dëshirë të gërmoj nëpër gjirize. Perëndia, mbase diku do ndalojë mbi këto mëkate e adhape pa anë e fund… (Të jem i sinqertë, kur mësova se nëna e tyre ishte motra e Heroit të kulluar idealist, Todo Manco, thitha fort cigaren dhe rashë në emocione plagëhapura. Një emër shumë i dashur e i nderuar, jo vetëm për gazetarët në Shqipëri. E as vetëm për bashkëfshatarët e Boboshticës. Antifashist i orëve të para. Partizan që nga fillimi ! Një nga 200 ishkomunistët e parë, që njerëzit i heqin kapelen sot e kësaj dite. Sidomos brezat e punëtorisë së nëntokës, që e njohën nga afër në moshën 30 vjecare atë proletar të vërtetë. Inxhinier minierash qysh në vitet e para të Clirimit. Laureat jo dosido i Cmimit të Republikës ! Minatorët dibranë të kromit në Bulqizë, si në monizëm dhe në pluralizëm, emrin e tij e ruajnë si yll karvani…). Ah, dajua ynë zemërqelibar ! Nuk arriti të përjetonte këto mënxyra e këllira të kohës. Na la shpejt. Mbylli sytë, 53 vjec…

“Mënyra më e mirë për t’i shkatërruar njerëzit është t’u mohosh dhe t’u heqësh mundësinë për të kuptuar të kaluarën e tyre”. Heshtjen gati ulëritëse të Ylli Ninos, unë e mirëkuptova herët. Përgjigjet e tij shkurtima e të paqta, rrëfenin shumë. Mirëpo, pyetjet e mia konkrete, të drejtpërdrejta e këmbëngulëse, nga fundi u tronditën jo pak : Një kapak i rëndë kalvari ra në bisedën tonë, kur më tha si shkarazi për dënimin e tij me 5 vite burg “për agjitacion e propagandë” ! Domethënë, plot 20 vite syrgjynosje (vëllai, nëna dhe Ylli). Si nuk shau a të mallkonte ndokënd ? Si nuk lakoi asnjë emër keqbërësi a firauni të paudhë ? Si nuk ndërmori ndonjë kërkesë padi në pluralizëm, për pafajësi e dëmshpërblime morale e financiare ? Përkundrazi. Sinqeriteti, karakteri i fortë e dinjitoz dhe një mirësi befasuese u shpalos natyrshëm, sidomos për një gjyqtar që unë e kisha njohur herët. Po dëgjoja me sy e me veshë…

-Në këtë botë ka edhe burra të mirë. Përshembull, gjyqtari Skënder Skëndo, dha dorëheqjen nga gjyqi im “politik” dhe me plot ligësira. Nuk e harroj kurrë atë qëndrim burrëror e tepër njerëzor. Veprime të tilla në Drejtësi, atëherë ishin të rralla…

Kënaqësia ime për atë rrëfim fare të shkurtër, u duk sheshit. I tregova menjëherë ca episode të vogla për jetën e Skënderit. Që nga Fakulteti Juridik, të cilin e ndoqi dhe e mbaroi si student i martuar e me fëmijë. Me shumë sakrifica e vullnet punëtorie. Por edhe si njeri i penës në fushën e letrave, në Tepelenë e gjetkë etj. “Kisha dëshirë ta takoja një ditë e ta falenderoja. Nuk e di ku ndodhet sot…”. Megjithatë, dënimin e kullandrisën të tjerë. Pas burgosjes u kthye prapë në vendin e internimit. Atje ku vetëm vreshtat, Vjosa dhe zogjtë mund t’i tregojnë të plota dertet, brengat e mundimet e pamerituara. Me siguri do të ligjërojnë edhe për një dashuri të ndaluar e jo pak të rrezikshme, ngjizur në fillim të viteve ’80. Dashuri me qefin në kokë. Përfytyroni një djalë të burgosur e të internuar në fshat, që arrinte të binte në dashuri me një punëtore nga qyteti ! Nuk ishte një romantikë libreske apo thjesht një fluturim moshe a marrëzi shpirtërore pas vajzës me emrin Flutura. Dhe as një “I riu, si veriu”. Rënkimet e plagëve dhe pasojat shtoheshin. Bashkë me haracet e padrejta të kohës. Aq më tepër me dy besime të ndryshme fetare. Brezi im më kupton mirë. Shtoheshin “sebepet” dhe tabelat e qitjes për ndonjë partiak të mykur e “operativ dhelpërak” që luante me jetën e të tjerëve. Mirëpo, fisnikëria dhe mirësia e Yllit nuk kishin fund :-“Një nga gjyqtarët e burgosjes time, kur isha lidhur përfundimisht me Fluturën, dicka ndiente si borxh dhe më ofroi një fjali ndihmëse në mes të rrugës : “Ylli, bëj shpejt celebrimin, se mund të dënohesh prapë me akuzën “për rrëmbim e martesë të paligjshme”… Po kështu, kur nuk na linin të fusnim as kokën si cift në një barakë të vjetër poshtë Becishtit. Shkova te Hasan Musta, atëherë drejtues pushteti në rreth. Nuk mund ta harroj, më ndihmoi menjëherë…Ehuu, sot kakarisin shumë, sepse jashtë valles kërcejnë të gjithë”…

Kur po hidhja këto shënime të qëmtuara nga blloku i gazetarit, dy miq të vjetër nga jurisprudenca, më thanë se Skënder Skëndo, është larguar nga kjo botë tani vonë, në Vlorë. Ai u jepte munxët deri në neveri dhelpërakëve të pandreqshëm. Dhe nuk merrej me “pula të ngordhura”. Prandaj citonte shpesh jo pa pasion një mencuri të Xhani Rodarit të madh Italian:-Në fshatin e gënjeshtrave, e vërteta është sëmundje ! Ndërsa unë dhe një kolegu im i ri, jo rastësisht kujtuam e buzëqeshëm mbrëmë me atë fabulën e bukur, përkthyer nga Kastrioti, shoku i Pedagogjikes “Pandeli Sotiri” :- Një herë pulat e gjetën dhelprën të shtrirë në mes të oborrit. Sytë i kishte të mbyllur dhe bishti s’i lëvizte aspak. “Ka ngordhur, ka ngordhur !,-thirrën pulat të gëzuara.-Ejani ta varrosim”. Vunë shpalljet, u veshën me të zeza, ndërsa gjeli hapi një gropë në fund të kopshtit. Qe një varrim madhështor,zogjtë e vegjël mbanin tufa lulesh. Por kur arritën afër gropës, dhelpra u hodh nga qivuri dhe i përlau të gjitha pulat…Lajmi u përhap kotec më kotec. U dha edhe në radio, po dhelpra nuk cau kokë fare. Priti sa kaloi njëfarë kohe, vajti në një fshat tjetër, u shtri në mes të oborrit dhe mbylli sytë. Erdhën pulat e atij fshati, u gëzuan dhe thirrën si të parat…(Shkurt, vepruan dhe e pësuan njëlloj. Lajmi mori dhenë). Foli edhe televizori, po dhelpra as që cau kokën prapë. “ Ajo e dinte se pulat kanë kujtesë të dobët dhe e ngrysi gjithë jetën duke u shtënë sikur kish ngordhur. Dhe kush vepron si ato, do të thotë se nuk e ka kuptuar historinë”.