180 fëmijë në Shënepremte si në kopsht edhe në shkollë do të mësojnë në kushte më të mira, falë investimit për rikonstruksionin e godinave arsimore.

Zv/kryeministri Erion Braçe mori pjesë sot në ceremoninë e organizuar në qendrën e re arsimore në Shënepremte me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

“Edhe këtu kopsht, shkollë, terrene sportive, amfiteatër dhe qendër për komunitetin. Duhet edhe pak punë për të kompletuar gjithçka, por vendosëm të hapim shkollën se ka qenë shumë shumë e gjatë koha në haurin e mëparshëm”, tha Braçe.

Edhe këtu, tha Braçe, do të ketë 20 nxënës për klasë, sistem ngrohje dhe sistem higjieno-sanitar të garantuar, laboratorë dhe së shpejti edhe një bibliotekë.

“Librat falas për fëmijët deri në klasën e pestë dhe për çdo fëmije nga familje në nevojë deri në klasën e nëntë, kompletojnë gjithçka. Prindër, mos i mbani fëmijët në shtëpi,
mos i angazhoni tani në punët tuaja, çojini në këto shkolla. Një fëmijë i ditur është jo vetëm gëzim prindërish, por edhe një krah i fortë ekonomik për ju. Investimi më i mirë që bëni sot! Tani është në dorën tuaj”, tha Braçe.