NGA GENCI BURIMI/

Inteligjenca duhet të udhëheqë në PS”, deklaroi pak a shumë socialisti Ditmir Bushati brenda forumeve të partisë së tij, si për të shkaktuar një elektroshok te të tijtë në valën e polemikës mbi Valdrin Pjetrin. Do kishim dëshirë të shtonim, jo vetëm në PS, por në çdo skutë të politikës shqiptare që inteligjenca duhet të jetë kryefjala. Do kishim, po ashtu, dëshirë t’i thoshim Bushatit se inteligjenca dhe talenti në politikë nuk vlejnë një grosh po nuk u shoqëruan nga virtyte të shëndosha humane. Në krye të këtyre vlerave dhe përtej inteligjencës, qëndron pa dyshim kurajoja në politikë, konsekuenca në qëndrime. Pasi inteligjent është dhe ai që e kthen xhaketën nga fryn era, por kurajoz kurrsesi nuk është. Le të marrim vetë shembullin e politikanit Ditmir Bushati. Inteligjent, pa dyshim që është. Këtë e tregoi më së miri së fundmi në polemikën e hapur nga skualifikimi i Valdrin Pjetrit. Pasi u përpoq të ishte i pari në fushatë për të mbajtur fjalimin më entuziast pro Valdrinit me shprehje ditirambike, që dhe i ati i Valdrinit s’do t’i kishte qëndisur aq bukur, Bushati tregon tani se di të fitojë pikë për të qenë sërish i pari i klasës, duke qëlluar me batare edhe kundër Valdrinit, edhe kundër syleshëve që lanë t’u servirej shkodranëve një bandit si kryebashkiak.

Deri dje, Bushati deklaronte publikisht se me Valdrinin do të hapim një kapitull të ri për Shkodrën. Sot thotë se me Valdrinin dhe njerëzit që e caktuan atë si kandidat, po i hapim varrin vetes. Po veten ku e fut ky Bushati?

Nëse një ditë, Ditmir Bushati dëshiron të veshë petkun e politikanit perëndimor, ai duhet t’u dalë zot qëndrimeve dhe veprimeve të tij. Ai duhet të ketë kurajën e akteve që ndërmerr në politikë, përndryshe e merr opinionin publik për budalla dhe opinioni të sanksionon rëndë për këtë. Përpara se të sulmojë sot syleshët që e neglizhuan furtunën që po përgatitej nga një CV si ajo e Valdrin Pjetrit, Ditmir Bushati duhet të kërkojë falje me ndershmëri intelektuale para shqiptarëve sesi të gjithë kuadrot e lartë në PS jo vetëm që nuk lëvizën as gishtin e vogël kur Rama ua paska imponuar Valdrinin, por hynë mandej ashtu si Ditmiri në një garë të shpifur servilësh kush e kush t’i bënte qejfin shefit të madh “si lum Shkodra, çfarë kandidati po i vinte!”.

Ditmir Bushati do të bënte vërtet mirë ta rilexonte atë fjalim surrealist fushate që mbajti si himn për të madhërishmin Valdrin dhe më pas të vihet në vendin e shqiptarëve, që paguajnë me taksat e tyre rrogat e politikanëve.

Për një pjesë të mirë të shqiptarëve, politikanët të gjithë një turi kanë, turirin e atyre që shesin veten dhe parimet për karrierë, për një post. Dhe kur humbasin poste e avancime në karrierë, si me magji, politikanët zbulojnë kënaqësinë e debatit në parti. Pse nuk e shtroi më parë debatin mbi “të inkriminuarit” Ditmir Bushati? Sot, atij nuk mund t’i besosh më, sado e drejtë qoftë kauza.

LE TË DEBATOJMË KONKRETISHT MBI TË INKRIMINUARIT

E keqja është se “inteligjentët” bëjnë shumë zhurmë për debat, por realisht debat s’ka, pasi mungojnë propozimet konkrete.

Është kollaj të çirresh si “inteligjenti” tjetër, Lulzim Basha, kundër të inkriminuarve në politikë. Por a ekziston alternativë tjetër, përveç asaj të drejtësisë?

Fuqia e dytë në Europë, Franca, a s’do e kish gjetur zgjidhjen pas skandalit të ish-ministrit të saj socialist të Financave, që paguhej për luftë kundra evazionit fiskal dhe nga ana tjetër bënte vetë evazion me llogari bankare sekrete në Zvicër e Singapor? Skandali i këtij ministri, Zherom Kahuzak, nga më të rëndët që mund të ketë njohur demokracia franceze, njollosi vetë të njollosurin, por kurrsesi eprorin që e emëroi atë, ish-Presidentin e Holandës, as Partinë Socialiste franceze. Ç’mund të bëjë një President apo një Kryeministër në raste të tilla? Hiç, asgjë, zero me bisht. Ah po, vetëm po të investigojnë me mjete ilegale dhe të bëhen ata vetë protagonistë të një kategorie tjetër skandalesh si ajo e Watergate… Shpesh s’jemi dakord me Ramën.

Por kësaj here duhet dëgjuar “bon sensi”. Ashtu si në Francë e në këdo demokraci tjetër, edhe në Shqipëri përgjegjësia në kësi rastesh s’mund jetë veçse individuale. Turpi është për atë që e fsheh “biografinë” kur prétendon për një mandat publik. Por vetëm dy pushtete mund ta kapin shah mat të inkriminuarin: Drejtësia dhe media. Drejtësia rrallëherë hyn këtyre verifikimeve po nuk pati një sinjalizim, qoftë nga opozita… Ka rreth 200 shtete në botë dhe është utopike të besh verifikime paraprake për kandidatin në një zgjedhje për të zbuluar nëse është dënuar ndonjëherë në një pikë të globit. Përkundrazi, mediat janë shumë më të zhdërvjella dhe i bëjnë jehonën e duhur sinjalizimeve që marrin. Në Francë, të gjitha skandalet e fundit me politikanët janë mediat që i kanë zbardhur dhe kanë detyruar drejtësinë të reagojë. Në Shqipëri, po ashtu, është media që zbardhi skandalin e falsifikimeve të kompanisë fituese për një tender për Unazën e Re të Tiranës.

Këtë duhet të bëjnë politikanët, Basha dhe Bushati që ankohen më shumë sot. Të propozojnë ligje që t’u mundësojnë gazetarëve të punojnë pa presion, as nga ana e pronarëve dhe as nga pushtetarët, të gëzojnë imunitet të plotë për skandalet që nxjerrin. Nuk e dëgjova Ditmir Bushatin të shprehej mbi projektligjin për shpifjet…

Ekzistojnë dhe mundësi të tjera për të kufizuar sa të jetë e mundur depërtimin e të inkriminuarve në politike, duke e lënë këtë çështje në mënyrën më strikte në sferën individuale. Pse jo, të imagjinohen dënime me gjoba nga më të rëndat e deri me burgim, për kandidatët në zgjedhje dhe për të zgjedhurit që kapen me presh në duar se i kanë fshehur qëllimtazi opinionit publik dënime në të kaluarën, me synim për t’u votëbesuar. Këto debate duhen marrë shtruar, pa i pasionuar për efekte demagogjike, sepse jemi në limitet e jetës individuale dhe asaj publike, një korridor tepër i ngushtë për ta përzier politikën dhe drejtësinë. Vetëm drejtësia duhet të flasë, por në emër të ligjeve në fuqi. Rezulton tani dhe gjithnjë e me shumë, se ligji i dekriminalizimit nuk është i mjaftueshëm për t’i mbajtur të inkriminuarit larg politikës. A ka idera dhe propozime konkrete Ditmir Bushati? Përndryshe, le te heshtë. Kaq gjë duhet ta kishte mësuar nga diplomacia…(Panorama)