Nga sot Maqedonia do të quhet zyrtarisht ‘Republika e Maqedonisë së Veriut’. Maqedonia dhe Greqia kanë nënshkruar sot marrëveshjen historike për emrin e ri të vendit fqinj, duke u dakordësuar për një ndër çështjet më të nxehta mes dy vendeve.

Ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Methju Nimic, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini, eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han dhe Rozmari Di Karlo, zëvendësja e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteresh, ishin sot dëshmitarë të nënshkrimit për çështjen e emrit, e cila u mbajt në Prespë, mes shefave të diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias.

Të pranishëm në këtë akt historik ishin edhe dy kryeministrat Zoran Zaev i Maqedonisë dhe Aleksis Tsipras i Greqisë. Ky i fundit, tha në fjalën e tij se kjo është një marrëveshje patriotike.

“Marrëveshje për popullin. Për përmirësimin e jetëve të qytetarëve. Marrëveshje e shoqërisë. Kemi detyrë historike ta vazhdojmë këtë rrugë dhe jam i bindur dhe optimist se do ta bëjmë këtë dhe do të jemi shembull i rajonit dhe botës për miqësi. Para neve kemi sfida të reja. Dhe për tu përballur me to duhet të kemi një rrugë të përbashkët evropiane”, tha kryeministri Tsipras.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, kdeklaroi një ditë më parë se marrëveshja mes dy vendeve është patriotike dhe ndihmon të përqendrohen forcat aty ku ka probleme.

Gjatë debateve në Kuvendin grek, Kotzias ka theksuar se është bërë kompromis në marrëveshje, duke shtuar se ‘vetëm nëse fiton në luftë, atëherë ka marrëveshje pa kompromis’.