Në Ditën Ndërkombëtare të Jetimëve, Bashkia e Durrësit shpërndau lodra dhe veshje të ndryshme për fëmijët e shtëpisë së foshnjes në Shkozet.
Nënkryetari Florian Tahiri bashkë me stafin e Bashkisë dhe dhjetëra të rinj e të reja që iu bashkuan kësaj nisme, shpërndanë mjaft dhurata e veshje për fëmijët.

Pjesë e aktivitetit ishin edhe mjaft lojëra si dhe aktivitete të tjera duke ua bërë më të gëzueshme këtë ditë fëmijëve që fati i ka privuar nga përkujdesja prindërore.

Nënkryetari Tahiri bashkëbisedoi edhe me stafin e këtij institucioni për çfarë mund të bëhet më tepër për edukimin dhe mirërritjen e tyre, ndërsa i siguroi ata se do të kenë të gjithë mbështetjen e nevojshme nga Bashkia Durrës. “Ne si bashki do të kemi gjithnjë një vëmendje të shtuar ndaj fëmijëve pa kujdes prindëror ku përmes programeve dhe projekteve të ndryshme synojmë zhvillimin dhe integrimin e tyre në shoqërinë shqiptare. Ndihma jonë ndaj kësaj kategorie nuk do të mungojë asnjëherë”, theksoi nënkryetari Tahiri.