Drini Kuqo

I “llastuar” nga kontrata prej 30 mijë eurosh në muaj, për një objekt në pronësi të tij që iu dha me qera CEZ-it për shumë vite, Ylli Rakipi i është qasur profesionist të medias në një mënyrë atipike, në formatin e një gazetari milioner.

60-vjeçari, themelues i gazetës “Albania”, për shumë vite ishte një prej figurave më influente të shtypit të shkruar në Shqipëri, por mesa duket kalimi në median televizive ishte shumë më pak fatlum për Rakipin, i rikthyer së fundmi në qendër të vëmendjes për akuzat ndaj Kryeministrit Rama, që sipas tij urdhëroi mbylljen e emisionit të tij “Të Paekpozuarit” në “Neës 24”.

Pa analizuar arsyet e “rokadës” me Sokol Ballën në ekranin e “Neës 24”, për të arritur në një përfundim të qartë, duhet ndalur dhe analizuar karriera e shkurtër e Rakipit në ekranet shqiptar.

Si asnjë gazetar tjetër në Shqipëri, në gjendje për të vetëfinancuar emisionet e tij, Rakipi kaloi për herë të parë në ekran në vitin 2015, me “Të Paekspozuarit” në “Ora Neës”.

Në 2016, kjo markë kaloi në “Neës 24”, ku pas një sezoni e gjysmë, u ndërpre sërish. Disa muaj papunësie i dha fund një ofertë e papritur e “Top Channel”, në nevojë për një zëvendësues urgjent, pas largimit të beftë të Sokol Ballës pas më shumë se një dekade nga “Top Story” në ekranin e “TCH”.

Pa mbyllur ende sezonin e tij, Rakipi u largua “pa ceremoni” nga “Top Channel”, për t’u rikthyer edhe një herë tek “Neës 24”, ku përsëri pa mbyllur sezonin është zevendësuar nga Sokol Balla.

Në një paralelizëm me një botë tjetër, atë të sportit, Ylli Rakipi është futbollist “meteor”, që nga një ekip i vogël, i ecën fati për t’u kontraktuar nga një ekuivalent i Bajernit, Barcelonës apo Realit në Shqipëri, ekipe ku luan vetëm 2-3 ndeshje si titullar, e më pas i ndërpritet kontrata, pa asnjë ekip të ri të interesuar për shërbimet e tij.

Sipas Ylli Rakipit, arsyeja përse tanimë ai është papunë lidhet me zërin e tij kritik ndaj Edi Ramës. Sipas tij, kjo thyerje ndodhi që kur Rakipi zbuloi skandalin e “Unazës së Madhe”, diçka për më tepër e pavërtetë, pasi Rakipi nuk pati asnjë rol në zbulimin e atij skandali.

Por, përtej pretendimeve të përcjella me zell të madh nga një pjesë e mediave të interesuara për të luajtur lojën e opozitës, të njëjtës opozitë që sipas raportimeve të fundit i ndalon përfaqësuesve të saj të shkojnë në studion e Sokol Ballës dhe godet publikisht media të tjera, ekziston një e dhënë e padebatueshme.

Në kulmin e popullaritetit të tij, në “debutimin” e tij në ekranin e “Top Channel”, të dhënat e “Telemetrix” tregojnë se “Të Paekspozuarit” u katandisën në vetëm 13% të audiencës së emisioneve politike (jo të totalit, çka përsëri do të ishte keq, por vetëm të atyre njerëzve që po shihnin një emision politik).

Përballë 13% të Rakipit, mbivendosej Fevziu me 45-50% të audiencës.

Për vite, “Top Story” në “TCH” dhe “Opinion” në “Klan” kanë bashkëjetuar në një luftë të fortë, me nivele të ngjashme audience, që kalonin njëri-tjetrin sipas rastit për shkak të profilit më interesant të të ftuarve në mbrëmje të caktuara.

E kjo është e vetmja arsye për “Top Channel”, vendosi të largonte Rakipin pas shumë pak kohësh, groposja e tij në audiencë, një betejë e barabartë deri në atë moment, që u shndërrua në një shpartallim të qartë mediatik sapo Rakipi solli formatin e tij në “TCH”.

E njëjta histori edhe në “Neës 24”. Logjika e ish-kryeredaktorit të “Albania”-s ka edhe një mangësi të dukshme, të paktën në sytë e publikut.

Pa hyrë në analizën e të vërtetës, “Top Channel”, prej vitesh akuzohet drejtpërsëdrejti nga opozita si një vegël në duart e Edi Ramës. Nga ana tjetër, të gjithë që njohin fushën e medias në Shqipëri, kanë të qartë që “Neës 24” ka një profil tjetër, e nuk është akuzuar ndonjëherë nga opozita si një televizion pranë Ramës.

Si ka mundësi, që televizioni pranë Ramës merr në punë “disidentin” e pashoq, Ylli Rakipin, njeriun e persekutuar sot për faktin që vendosi të sakrifikohet në altarin e lirisë së medias si “Prometeu”, për t’i shërbyer me të vërtetat e tij 3 milionë vdekatarëve që popullojnë këtë vend?

Përse Rama nuk urdhëroi “veglën” e tij (ndjesë për Top Channel), ta hiqte nga puna, por del dhe urdhëroi “Focus Group” të Irfan Hysenbelliut, që nuk e lidh asgjë me Kryeministrin, për heqjen nga punë të Ylli Rakipit?

E për një moment, nëse vërtet Vaclav Haveli i Shqipërisë qënka përseketuar, për ta thënë të gjithën deri në fund, a vërtetë do të ishte kaq naiv Kryeministri Rama, që të hiqte një zë kritik kaq joinfluent sa Ylli Rakipi, për të rrezikuar që të vinte kushdo tjetër?

E vërteta, duket se është krejt një tjetër. Pas një karriere të gjatë në median e shkruar, karrierës së Rakipit fillimisht si biznesmen, e pastaj si moderator, i ka ardhur fundi.

Me akuzat kundër qeverisë, që pa dyshim ka kusuret e saj, Rakipi po shndërrohet përfundimisht qesharak për opinionin publik.

E duke dëgjuar gojët e liga, pasi humbi betejën e “qokave” (historia e CEZ) të paguara nga taksapaguesit shqiptarë, pasi ka humbur betejën e pijes dhe bixhozit (gjithmonë sipas gojëve të liga), Rakipi tanimë ka humbur edhe betejën e fundit që ka rëndësi për një gazetar, atë për besueshmërinë në opinionin publik.