Nga Rym Momtaz “Politico.eu”

Presidenti amerikan Donald Trump, mund të ketë trazuar rendin ndërkombëtar botëror, por është presidenti francez Emanuel Makron, ai që e ka kthyer në avantazhin e tij sloganin “Amerika e Parë”. Gjatë muajve të fundit, Makron është bërë gjithnjë e më aktiv në skenën botërore.

Ai luajti një rol kryesor në ndërmjetësimin e një marrëveshje, mbi postet e reja drejtuese të BE-së, ndërmori një nismë të re të rrezikshme diplomatike mbi Iranin, ringjalli përpjekjet për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, dhe priti Samitin e G7-ës, që të paktën arriti të ruajë unitetin e 7 fuqive të mëdha, ndryshe nga 2 paraardhësit e tij.

Përpjekja e presidentit francez, për të ndërtuar staturën e një njeriu thelbësor për kompromisin në diplomacinë globale, bazohet pjesërisht në besimin e qartë se ai mund të dijë të merret vesh me 2 homologë me një temperament problematik: Donald Trump dhe Vladimir Putin.

Askush nuk mund ta thotë më saktësi, nëse Makron do të ketë sukses me ndonjë nga politikat e tij të jashtme. Deri më tani, ai ka pak rezultate konkrete me të cilat mund të mburret. Përpjekjet e tij të mëparshme për të triumfuar mbi Trump (për marrëveshjen mbi klimën, apo atë mbi programin bërthamor të Iranit), dhe mbi Putinin (mbi Sirinë dhe luftën kibernetike) dështuan, dhe nuk e mbrojtën nga sulmet publike të shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Natyrisht, Franca ka luajtur një rol kryesor në diplomacinë ndërkombëtare. Statusi i këtij vendi si një fuqi bërthamore, ushtria e fortë dhe vendi i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB, nuk mund të shpërfillen. Por vetë Makron ka bërë një përpjekje të madhe, për të rritur staturën e vendit të tij në skenën ndërkombëtare.

Deri tani, përpjekjet e Makron për të mbushur boshllëkun e lënë nga SHBA në arenën globale, nuk i kanë mërzitur fuqitë e tjera të mëdha evropiane, si Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar. Madhe disa diplomatë në këto vende, e shohin me admirim ngritjen e profilit të Makron në arenën globale.

“Makron po e pushton atë hapësirë, ​​dhe po vjen me ide konkrete”- u shpreh një diplomat britanik i nivelit të lartë. “Ai është një politikan i gatshëm të marrë përsipër rreziqe, dhe u shpërblye në një farë mënyre gjatë Samitit të G7-ës”- deklaron një zyrtar diplomatik gjerman.

Në atë samit, Makron arriti të mënjanojë Trumpin, kur e lejoi Ministrin e Jashtëm të Iranit Xhavad Zarif të shkonte në Biarritz për bisedime. Ai u angazhua edhe në një debat të ashpër me presidentin brazilian, mbi zjarret në pyjet e Amazonës. Rezultatet konkrete të samitit ishin më modeste, përfshirë një paketë ndihme për Amazonën, dhe një përparim të kufizuar mbi taksën dixhitale.

Por në një periudhë afatgjatë, Makron do të gjykohet nëse mund të arrijë ndonjë përparim mbi problemet e vjetra, siç janë marrëdhëniet me Iranin dhe konflikti në Ukrainë. Ndoshta asnjë çështje tjetër, nuk e ilustron më mirë rolin e ri ndërkombëtar të Makron se sa Irani, kriza ndërkombëtare për momentin më e ndërlikuar.

Përpjekja diplomatike që ai ka udhëhequr që nga qershori, ka pasur meritën që është ende gjallë, ndryshe nga një përpjekje e mëhershme për ndërmjetësim nga Japonia. Zyrtarët francezë, thanë këtë javë se po diskutojnë me zyrtarët iranianë dhe amerikanë, mundësinë e çeljes së një linje kredie të mbështetur nga nafta për Teheranin.

Ky mund të jetë përparimi më konkret, për ta penguar Iranin të shkelë angazhimet e tij ndaj marrëveshjes bërthamore. Njëkohësisht, ai përgatit terrenin për një takim të nivelit të lartë, ku do të marrë pjesë edhe Trump. Në këmbim të linjës së kreditit financiar, Teherani do të duhet të respektojë plotësisht marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të angazhohet të mos kërcënojë sigurinë në Gjirin Persik, dhe të mos pengojë lirinë e lundrimit detar.

Teherani, duhet ndërkohë të bjerë dakord mbi bisedimet e ardhshme mbi sigurinë e Lindjes së Mesme, tha të martën Ministri i Jashtëm francez Zhan Iv Lë Drian. Linja e kredisë, do të garantohet nga nafta iraniane. Por ndërsa diplomatët mund të admirojnë veprimet e Makron, pritja e propozimit francez në Uashington, nënvizon se sa e vështirë do të jetë përkthimi i guximit të tij në rezultate konkrete.

“Në SHBA, ideja e një linje së krediti për Iranin, nuk shihet pozitivisht”- tha një zyrtar amerikan. Por tek e fundit, është Trump ai që do të vendosë nëse përpjekjet e Makron, do të kenë apo jo sukses. Makron nuk ka kursyer asnjë përpjekje për ta mbajtur Trumpin të lumtur. Ndërkohë, ai është investuar personalisht në negociatat me Iranin.

Që nga fundi i qershorit, ka zhvilluar 6 biseda telefonike me Ruhanin mbi marrëveshjen bërthamore. Zyrtarë të lartë iranianë, e kanë vizituar 4 herë Francën gjatë muajit gusht, dhe këshilltari diplomatik i Makron ka kryer 2 vizita në Iran.

Por presidenti francez po ecën në një fushë të minuar. Administrata Trump, është thellësisht e ndarë midis zyrtarëve të linjës së ashpër, si këshilltari i sigurisë kombëtare, Xhon Bolton. Që beson në ushtrimin e një presionit të madh mbi Teheranin. Dhe Trumpit e disa zyrtarë të tjerëve nga ana tjetër, që mendojnë se mund të ketë hapësirë për të arritur një marrëveshje.

Vetë autoritetet iraniane janë po aq të ndara, midis kampit të presidentit Ruhani, dhe Gardës Revolucionare që e refuzon kompromisin. Ndërkohë Makron është angazhuar për një marrëdhënie më intensive me Rusinë. Kohët e fundit, ai i bëri thirrje selisë së tij diplomatike të “rishikojë marrëdhëniet me Rusinë”, dhe “të ndërtojë një arkitekturë të re të besimit dhe sigurisë në Evropë”, që të përfshijë edhe Moskën.

Me gjithë sulmet e vazhdueshme kibernetike ruse, pjesëmarrjen e Moskës në bombardimet që kanë vrarë mijëra civilë në Siri. Dhe helmimin e qytetarëve rusë që jetojnë në Britaninë e Madhe, Makron e ka bërë të qartë mendimin. Ai beson se vetëm angazhimi me Moskën, do të kontribuojë në zgjidhjen e disa prej sfidave më të mëdha, me të cilat përballet Evropa, duke filluar që nga Ukraina.

Makron e priti Putinin në rezidencën e tij verore në jug të Francës në prag të Samitit të G7-ës, dhe njoftoi më pas se presidentët rusë dhe ukrainas, janë të gatshëm të realizojnë një shkëmbim të burgosurish, demilitarizimin e rajonit të Donbasit, si ndërtimin e besimit të ndërsjellët, përpara një takimi të planifikuar me Francën dhe Gjermaninë më vonë gjatë këtij muaj në Paris.

Javën e kaluar, shkëmbimi i të burgosurve u duket se qe afër, por nisma më pas u sabotua. Ndërkohë, afrimi i Makron me Putinin, nuk është pritur mirë nga të gjithë. Udhëheqësit e Ukrainës, e kundërshtojnë idenë se duhet të ketë ndonjë kompromis me Rusinë, të cilën ata e shohin si agresore në këtë konflikt.

Edhe qeveritë e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore, janë të shqetësuara për çdo hap pajtues përkundrejt Putinit. Gjithsesi, Makron ka shumë besim tek vetvetja. Ai duket se po mbështet tek aftësitë e tij politike dhe personale, për të normalizuar marrëdhëniet me Putinin. (TTnews)