Diego Simeone ka dalë kundër kritikëve të yllit të Barcelonës dhe Argjentinës, Lionel Messi, veçanërisht të atyre nga vendi i tij. Messi, pavarësisht fitimit të gjithçkaje me klubin katalanas gjatë karrierës së jashtëzakonshme, ka mbetur “thatë” në skenën ndërkombëtare me Albiceleste. Argjentina humbi në finalen e Kupës së Botës 2014 ndaj Gjermanisë, përpara se të kishte të njëjtin fat edhe në “Copa America”. Dështimi për të fituar gjëra të mëdha me kombëtaren e tij ka sjellë mjaft kritika ndaj Messit, sidomos nga Argjentina. Megjithatë, trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, i cili ka luajtur mbi 100 ndeshje për Albiceleste, mendon se ato nuk janë të drejta:

“Kritikat ndaj Messit nuk janë të drejta, aspak, sidomos kur vijnë nga Argjentina. Të gjithë kërkojnë nga Messi pse shkëlqen në Barcelonë dhe jo me kombëtaren. Nuk është e vështirë ta dimë përse ndodh kjo, është e lehtë. Te Barcelona ka disa lojtarë dhe një skuadër që e mbështet. Tek Argjentina nuk ka një mjedis të tillë, siç ndodh me Cristiano Ronaldon në kombëtare, sepse Portugalia nuk është Juventusi apo Real Madridi. Skuadrat e forcojnë lojtarin e madh, ia bëjnë më të lehtë”.

Siemone beson se secili ka të drejtën e mendimit të vet, por ai pretendon se futbolli nuk do të ishte i njëjtë pa yllin e Barcelonës: “Unë respektoj çdo gjë, gjithkush e ka një mendim. Messi ishte afër fitimit të Kupës së Botës në Brazil, por nuk ia arriti për pak gjë, për fat të keq. Disa njerëz e kritikojnë vazhdimisht, por Messi është i jashtëzakonshëm. Sa “Topa të Artë” ka fituar, sa gola ka shënuar ai? Sa herë e ka marrë mbi supe Barcelonaën, duke e nxjerrë nga situata? Pa të, Barcelona dhe futbolli nuk do të ishin të njëjtë”.