Nga ARTUR AJAZI/

Qeveria, kryeministri, dhe shumica parlamentare, nuk po rreshtin së kërkuari dhe ftuari ish-opozitën e vjetër, të bëhet pjesë e mundësive të dhëna për të nisur bashkëpunimin institucional, për gjithçka ka nisur dhe po vazhdon rrugën e saj. Reforma në drejtësi, diskutimi dhe miratimi i Reformës Zgjedhore, si dhe mjaft ligje të tjera presin edhe mendimin e ish-opozitës së vetpërjashtuar. Një veprim europianist dhe demokratik i kryeministrit Rama, mbetet dora e shtrirë e tij ndaj një ish-opozite, e cila ka vendosur të mbetet jashtë “mureve” të kalasë me dylbitë miopë, duke kërkuar kleçka në qilar, dhe duke refuzuar gjithmonë të jetë bashkëpunuese. E ndërsa Meta kreu aktual i shtetit, nga kalaja e Krujës i tregon qeverisë se “duhet të ketë përgjegjësi maksimale”, Lulzim Basha nga Thumana dhe periferia e Durrësit kërkon “më shumë vëmëndje të qeverisë”.

Duket si një kombinim “dysh” mes një njeriu që flet nga malet e Krujës (një hobi e tij) dhe një tjetri që bën ndonjë xhiro nga zonat e dëmtuara, dhe nuk di çfarë ka ndodhur në 26 Nëntor në Shqipëri. Duke u shmangur nga dialogu politik, përgjegjësia, dhe detyrimi qytetar që ka për shqiptarët, duket se ish-opozita e vjetër tashmë e ka vendosur fatin e saj, të rrijë jashtë në “çadër”. Të mos bëhet pjesë e diskutimeve, orientimeve, të mos bëhet pjesë e menaxhimeve të situatës katastrofike, por të gjuajë me gurë, njëri nga malet dhe tjetri nga “çadra” e lirisë. Ajo që bie në sy, është fakti se ish-opozita e vjetër, pas 26 Nëntorit, ka braktisur rrugët dhe bulevardet, dhe është strukur në SHQUP. Prej andej ajo drejton sejmenët e saj të trembur nga katrahura, prej andej ajo “mbledh” firmat e inxhinerëve që i ka gati gjoja për “vlerësimet e dëmeve”.

Një komedi me subjekt tragjedinë e shqiptarëve po shkruhet në zyrat e SHQUP-it. Dhe si mund të presësh “dialog” me një ish-opozitë të trembur, me një ish-opozitë të shkundur nga të gjitha, me një ish-opozitë që u tregoi shqiptarëve se, nuk është në gjendje të bëjë asgjë kur atyre u bie halli. Me një ish-opozitë që nuk pranon faktin se “sa ishte në pushtet zbrazi qindra fshatra dhe i “urbanizoi” në Tiranë dhe Durrës pa asnjë plan dhe projekt urbanistik, me një ish-opozitë e cila nuk e pranon publikisht faktin se sa ishte në pushtet, toleroi prishjen e sistemit të vaditjes në shkallë vendi duke lejuar ndërtimin e mijëra objekteve pa leje edhe mbi hidrovorë dhe shina treni, me një ish-opozitë që sa ishte në pushtet mbipopulloi në mënyrën më të paligjshme dhe kriminale ish-Kënetën e Durrësit, plazhin, Golemin, Shkëmbin e Kavajës, dhe gjithë zonat e tjera ku nuk duhej të ishte ndërtuar asgjë.

Dhe si mund të pranojë “dialog” konstruktiv një ish-opozitë e tillë, e cila ka konsumuar me shumicë shkelje ligjore, duke shpërfytyruar një prej qyteteve më të rëndësishme portuale dhe turistike, dhe duke mos denoncuar askënd. Kur ndjehesh fajtor, nuk mund të pranosh të gjykosh, sepse e ke të pamundur. Tragjedia e 26 Nëntorit, për fatin e mirë shkundi edhe “petalet” e politikës të vjetër, asaj politike që ka 30 vjet që mbjell betonin dhe jo pemët, e asaj politike që ka 30 vjet që masakron detin, lumin, fushën, dhe jetën e shqiptarëve. Dialogu me këtë ish-opozitë është një mundësi e humbur, por që fatmirësisht mungesa e saj, sikur lehtëson më shumë hallin e atyre që sot shohin dhe ndjejnë nga afër shpresën dhe besimin, se një ditë do të bëhet më mirë.