Google është një nga platformat që vlerëson cilësinë e restoranteve dhe hoteleve. E bazuar kryesisht në përshtypjet e turistëve që i frekuentojnë bizneset, nëpërmjet Google mund të konfirmosh nëse ia vlen ose jo të hysh aty.

Video ku Mihal Kokëdhima, pronar i restorantit ‘Panorama’ në Porto Palermo, hipën sipër një furgoni me turistë spanjollë dhe i dhunon, po trondit opinionin publik. Ndonëse pamjet duken gati të pabesueshme, kjo sjellje e Kokëdhimës nuk është e re, të paktën kjo konfirmohet nga përshtypjet që turistët kanë lënë për biznesin e tij.

2.7 është vlerësimi për ‘Panormën’ në Google nga 6 që është maksimali. Krahasuar me biznese të ngjashme në zonë, ky vlerësim është shumë i ulët, ndërkohë që komentet tregojnë sjelljen e pronarit me turistët.

“Përvojë e tmerrshme. Çmimet janë jashtëzakonisht të larta dhe kamerierët do të përpiqen t’ju mashtrojnë duke përfshirë artikujt e pakontrolluar në faturën tuaj”, është një koment i lënë dy vite më parë nga një turist.

“Njeri i keq, pronar kriminel. Policia merr shumë telefonata nga klientë që zihen me pronarin. Mos shkoni atje”, shkruan një tjetër turistë përpara 11 muajsh.

“Pronar jo-miqësor. Më mirë shkoni në një vend tjetër”, shkruan një turist i huaj përpara një viti.

Komente të ngjashme janë me dhjetëra në faqen e ‘Panoramës’ në Google dhe bëhen jo vetëm nga turistë shqiptarë, por edhe gjermanë e italianë.

Por 51-vjeçari rezulton të ketë pikërisht këtë restorant lukzos në një nga zonat më të preferuara turistike në jug të Shqipërisë, Porto Palermo me emrin “Panorama”. Restoranti në fjalë është pa leje, por në proces legalizimi.

Por pyetja që ngrihet është se si është ndërtuar në shkëmb në një zonë të mrekullueshme siç është Kështjella e Porto Palermos, kur në fakt ndërtimet buzë detit nuk lejohen.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, i vetmi biznes në emër të Mihal Kokëdhimës, rezulton një aktivitet në fushën e kultivimit dhe tregtimit të peshkut, i hapur në 12 prill të vitit 2008, por që aktiviteti i tij është tashmë i pezulluar. Ky biznes ndodhej në Qeparo, në Gjirin e Shënkollit.