Rreth 1200 trupa dhe dhjetëra mjete, tokësore, ajrore dhe detare janë angazhuar në stërvitjen “Albanian Lion 2018”, e cila do të zhvillohet deri më datë 30 shtator. Për herë të parë në këtë stërvitje, e cila zhvillohet çdo vit në vendin tonë, merr pjesë edhe një kontingjent nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Përgatitja e terrenit dhe lëvizja e mjeteve dhe trupave ka filluar që më datë 9 shtator, duke shfrytëzuar bazat më të rëndësishme ushtarake të Shqipërisë, që nga bazat detare të Kepit të Palit, Pashalimanit, Porto Palermos, gadishullin e Karaburunit, bazat ajrore të Rinasit e Farkës, garnizonin e Zall-Herrit, si dhe rajonin stërvitor të Bizës.