“Kosova është shtet i pavarur dhe unë e pranoj pavarësinë e saj”, ka deklaruar deputeti i Parlamentit të Serbisë, Nenad Canak në një intervistë për median kosovare RTK.

Gjatë kësaj interviste, ai ka dënuar edhe krimet që serbët kanë kryer ndaj kosovarëve.

“Në Serbi është një politikë që kurrë nuk do ta pranojë Kosovën shtet. Për fat të keq politika e Beogradit ka mbetur e njëjtë, ekzistojnë disa lëvizje pozitive jo vetëm për ngjarjet në Kosovës, por edhe në Bosnjë, por nuk ekziston një masë kritike që do të kishte pranuar në thelb politikën e gabimeve. Krimet nuk vjetërsohen kurrë, krimet po fshihen nën tepih, krimet duhet të zbardhen”, ka theksuar Canak për RTK.

Kreu i Ligës Socialdemokrate të Vojvodinës, u shpreh se është absurde që akoma nuk ka lëvizje për dënimin e krimeve edhe 19 vjet pas rënies së Millosheviçit.

Gjatë intervistës për medien kosovare, deputeti serb kujtoi se “mua dikur më hoqën mandatin e deputetit vetëm pse bëra disa pyetje për luftën në Kosovë”.

Sipas tij, nëse nuk do të arrihet një marrëveshje mes dy vendeve, Serbia nuk mund të ecë përpara.