Në Komitetin e Çështjeve Europiane të Parlamentit të Bavarisë, 25 deputetë votuan Rezolutën nga ku rekomandohet drita jeshile për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian në tetor të këtij viti.

Lajmi bëhet i ditur nga zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj dhe Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Teuta Vodo, zv.ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Andrei Zernovski të cilët zhvilluan një vizitë pune në Parlamentin e Bavarisë me ftesë nga Tobias Gotthardt, Kryetar i Komitetit të Çështjeve Europiane.

Vodo dhe Hodaj informuan autoritetet bavareze për rezultatet e Reformës në Drejtësi dhe ngritjen brenda vitit të institucioneve të reja të SPAK dhe Byrosë Kombëtare të hetimit me asistencën e ndërkombëtarëve, për zhvillimet politike në vend dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Gjithashtu u theksua se qeveria është e përqendruar në reforma thelbësore me qëllim funksionimin e shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike.

Përfaqësuesit shqiptar theksuan se perspektiva europiane për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është më afër se asnjëherë më parë dhe vendimi i tetorit është shumë i rëndësishëm për rajonin.

Gjithashtu, Vodo dhe Hodaj u takuan me Zv. Kancelarin e Landit të Bavarisë, Hubert Aiwanger nga ku u informuan se biznesmenët gjermanë kanë shfaqur interes për të investuar në Shqipëri në fushën e turizmit dhe industrisë. Vizita u përmbyll me një vizite në qendrën europiane për studimet e sigurisë, qendra Marshall.