Në kasafortën nëntokësore të Qendrës Klinike Universitare në Ljubljana të Sllovenisë, aty ku ndërroi jetë Josip Broz Tito më 4 maj 1980, u zbuluan skedarë që hedhin dritë të re për muajt e fundit të tij dhe stafit që e shoqëronte, në atë që konsiderohej si institucioni më i mirë mjekësor atë kohë në ish-Jugosllavi.

Në shumicën e letrave zbulohet se çfarë u pagua gjatë qëndrimit të Titos dhe stafit të tij në spital, të cilat thonë se në një muaj u konsumua 100 kg mish derri, 31 kilogramë mish viçi për fëmijë, 18 kilogramë viçi, më shumë se 15 kilogramë proshutë dhe 90 kilogramë proshutë e konservuar.

Në të njëjtën periudhë njëmujore, u konsumuan 91 shishe uiski, 20 shishe rum, 11 vodka dhe 100 litra verë, dhe sipas një fature, ishin porositur dhe 700 torta.

Tito kaloi aty katër muajt e fundit të jetës së tij, dhe megjithëse dihet që nuk ka dëgjuar mjekët dhe nuk ka dashur të heqë dorë nga ushqimet dhe pijet e tij të preferuara, ai ka qenë në një gjendje kome artificiale për 68 ditët e fundit, i varur nga një respirator, kështu që është e qartë se gjatë kësaj periudhe ai nuk ka mundur të konsumojë të gjithë ushqimin dhe pijen.