Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Takimeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore “Annual Meetings 2019”.

Gjatë kësaj vizite, ministrja e Financave dhe Ekonomisë në takimet me drejtues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, ka diskutuar politikat makro- ekonomike dhe fiskale; menaxhimin dhe uljen e mëtejshme të borxhit publik; përmirësimin e klimës së biznesit për tërheqjen e investimeve të huaja, si dhe politikat e qëndrueshme fiskale.

Takimet me drejtuesit e lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankës Botërore, janë thelbësore në funksion të mbështetjes së vazhdueshme nga FMN dhe BB për Shqipërinë.

Në fokus të këtyre takimeve, ka qenë ecuria e reformave të thella strukturore që ka ndërmarrë dhe po ndërmerr qeveria shqiptare, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë dhe stabilitetin e vazhdueshëm të financave publike. Bashkëpunimi me këto institucione mbi praktikat më të mira për uljen e rreziqeve fiskale, mbeten po ashtu fokus i veçantë i diskutimeve teknike.

Ministrja Denaj ka prezantuar zhvillimet më të fundit kryesore të ekonomisë shqiptare, si dhe planet afatmesme të politikave fiskale e reformat strukturore.

Pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga tregjet globale dhe ulja e ritmit të rritjes së ekonomisë europiane, reformat e ndërmarra kanë dhënë rezultatet e pritura drejt një rritje ekonomike të qëndrueshme. Vijueshmëria e konsolidimit fiskal, përpjekja pa kompromis kundër informalitetit dhe iniciativa ligjore e procesit të fiskalizimit janë thelbësore për zhvillimin e vendit, krahas reformës në drejtësi që është thelbesore jo vetëm për garantimin e shtetit të së drejtës, po gjithashtu edhe për të vitalizuar më së miri potecialet e zhvillimit ekonomik të vendit.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë vazhdon të ketë mbështetje të plotë në rrugën e reformave nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Bashkëpunimi dhe diskutimet në nivele teknike do të vijojnë gjatë misioneve të këtyre institucioneve në Shqipëri, pas takimeve Vjetore në Washington DC.