Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u çel ekspozita me titull “Dekorata dhe medalje”.

Ekspozita paraqet dekorata dhe medalje të cilat u janë akorduar personaliteteve shqiptarë dhe të huaj për merita të jashtëzakonshme për lartimin e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë.

Një pjesë e dekoratave që u ekspozuan ruhen në fondet e Muzeut Historik Kombëtar dhe ekspozohen për herë të parë në këtë ekspozitë si dhe një pjesë, nga fondi i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, tha se është kënaqësi e veçantë që sot në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar mirëpresim këtë ekspozitë të veçantë, duke vënë theksin në bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave si dhe në vazhdimin e bashkëpunimeve të mëtejshme.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Dr. Ardit Bido, u shpreh se është kënaqësi që pasuria e objekteve muzeale të jetë e aksesueshme për të gjithë, disa prej këtyre dekoratave janë vërtet të bukura si nga pikëpamja stilistike por edhe prej vlerave që mbartin të një rëndësie të veçantë, është një shans i mirë që këto pasuri të mos jenë më të fshehura por të jenë të aksesueshme nëpërmjet këtyre aktiviteteve.

Ky aktivitet u bë i mundur falë bashkëpunimit mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.