Menjëherë pas deklaratës së presidentit Meta, ka reaguar edhe Kryetarja e PS për Tiranën, deputetja Blerina Gjylameti. Përmes një postimi në Facebook, Gjylameti i drejton disa pyetje kreut të shtetit, ndërSa thekson se sot ai mendon vetëm për pakicën e shtëpisë, jo për shumicën e shqiptarëve që duan të votojnë dhe të zgjedhin drejtuesit e tyre lokalë në të drejtën e tyre kushtetuese. Duke kritikuar presidentin edhe për qëndrimin e mbajtur ndaj aleatëve SHBA dhe BE, Gjylameti shkruan se koha ka treguar se “Për shqiptarët dielli lind në Perëndim”, ndërsa rikonfirmon se zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor.

Postimi i plotë:

“Lind pyetja!

Si ka mundësi që Presidenti e shikon gabimin tek maxhoranca, kur vetëm kjo e fundit bën thirrje të vazhdueshme që opozita të ulet në dialog dhe të merrte pjesë në zgjedhje?!

A nuk duhet të ishte detyra e presidentit kjo vallë?!

Sipas Presidentit, sot ai mendon vetëm për pakicën e shtëpisë, jo për shumicën e shqiptarëve që duan të votojnë dhe të zgjedhin drejtuesit e tyre lokalë në të drejtën e tyre kushtetuese.

Mesa duket Presidentit nuk është në terezinë e lartësisë së detyrës që përfaqëson, por më shumë tek interesat e ngushta të një pale…

Ndoshta ka ardhur koha që Presidenti të reflektojë!

SHBA dhe BE folën qartë, ndërsa shqiptarët dhe Shqipëria e ka bërë zgjedhjen me kohë.

Koha ka treguar se “Për shqiptarët dielli lind në Perëndim”.

#ZgjedhjetNë30Qershor”, shkruan Gjylameti.