Ish-trajneri i Kombëtares Giani De Biasi ka komentuar për mediat italiane shkarkimin e trajnerit Christian Panucci. Në një intervistë për “Tuttomercatoweb” ai ka thënë se i vjen keq për Panuccin.

“Më vjen keq që Panucci përfundoi këtë aventurë tek Shqipëria, më shumë nuk di të them. Më vjen keq sepse un vijoj të jem një tifoz i Shqipërisë. E ardhmja ime? I kam thënë jo Venezias dhe Frosinones. Objektivi im është që sezonin e ardhshëm të jem në drejtimin e një klubi ose Kombëtarja”, -u shpreh De Biasi.

Emri i Gianni De Biasit lidhet ngushtë me stolin e përfaqësues shqiptare. Ai është trajneri më i suksesshëm në stolin e Kombëtares por dhe për vetë De Biasin, Shqipëria është kulmi i karrierës së tij.

Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi të shtunën se ka ndërprerë zyrtarisht bashkëpunimin me trajnerin Christian Panucci.

“E falenderojmë trajnerin Panucci për punën e zhvilluar deri më tani dhe i urojmë suksese në vazhdimin e karrierës. Ekipi kombëtar në ndeshjen e dytë zyrtare eliminatore kundër Andorrës në transfertë do të drejtohet nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, si edhe pjesa tjetër e stafit aktual”, – shkruante Federata Shqiptare e Futbollit.

Panucci kishte firmosur kontratën për deri në 2020 me Federatën Shqiptare të Futbollit, por duket se rezultatet e fundit, sidomos ai i mbrëmjes së djeshme me Turqinë, ka bërë që Panucci të largohet. Panucci zëvendësoi trajnerin Giani De Biasi dhe drejtonte Kombëtaren Shqiptare që nga korriku i vitit 2017.