Dy vite pasi u refuzua, Gianni de Biasi përfundon sërish në “lupën” e skuadrës së Seria A, SPAL. Ish tekniku i kombëtares shqiptare është pa ekip prej largimit nga Alaves në nëntorin e vitit 2017 dhe shpesh herë e kemi parë të lakohet në pankinat e klubeve të rëndësishme italiane dhe jo vetëm.

Së fundmi, interes për De Biasin ka shfaqur SPAL, që shqyrtohet si mundësi për të pasuar kolegun e tij, Leonardo Semplici, i cili mund të largohet nga ekipi që mbyll klasifikimin e elitës italiane. Humbja e fundit kundër Brescia ka lëkundur së tepërmi pozitat e Semplici, që rrezikon shkarkimin. Gianni de Biasi konsiderohet si njeriu ideal për të rikthyer qetësinë dhe rezultatet pozitive te klubi ku aktivizohet edhe portieri i kombëtares kuqezi, Etrit Berisha.

Semplici e mori ekipin e SPAL nga Seria C për të promovuar në Seria A pas një mungese të gjatë prej 50 vitesh. SPAL nuk po kalon një moment të mirë, diçka që e tregon edhe tabela e klasifikimit. Pas 14 javëve të para, bardheblutë kanë grumbulluar nëntë pikë, duke fituar vetëm dy ndeshje takime dhe mbyll klasifikimin e Seria A me 9 pikë.