Manchester ka pësuar humbjen e parë të kampionatit teksa është mposhtur 2-1 nga Crystal Palace në Old Trafford. Mbase ishte një humbje e pamerituar e vendasve, por “Eagles” janë treguar të paskrupullt përpara portës duke marrë një fitore të madhe.

Që nga minuta e parë kishte vetëm një ekip në fushë dhe ai ishte Manchester United. Skuadra e Solskjaer ka dominuar dhe shpeshherë është ndalur nga faulle taktikë të kundërshtarëve, të cilët vetëm në minutat e fundit të pjesës së parë filluan duke u dënuar me kartonë të verdhë.

Pas disa mundësive shumë të mira të vendasve, Palace ka shënuar golin e avantazhit në minutën e 32’ të takimit.

Ishte Jordan Ayew ai që ka mposhtur De Gea-n brenda zonës duke shënuar gol në goditjen e parë në kuadrat, jo vetëm të takimit, por të gjithë sezonit.

Asgjë nuk ndryshoi edhe pas pushimit, United sulmonte, ndërsa Palace mbronte me të gjitha forcat duke shpresuar për një kundërsulm.

Rashford mund të kishte barazuar në të 69’, por edhe ai gabon nga pika e bardhë e penalltisë. Në minutën e 88’ më në fund vjen goli i merituar për vendasit, ishte Daniel James ai që ka dërguar topin në rrjetë pas pasimit të Martial.

Megjithatë, Palace rimerr avantazhin në minutën e tretë shtesë me mbrojtësin e majtë Van Aanholt. Ai është vetëm lojtari i dytë që shënon golin e fitores në kohën shtesë ndaj Man United. I pari ka qenë Thierry Henry në janarin e vitit 2007.