Vetëm pak ditë nga finalja e Superkupës dhe nisjes së sezonit të ri të Superligës, Kukësi largon nga skuadra Ylli Shametin. Nuk dihen arsyet zyrtare të kësaj ndarje, por konfirmimi për largimin nga nënkampionët e Shqipërisë e ka dhënë vetë mbrojtësi, që në ekipin kukësian mbante shiritin e kapitenit.

Ylli Shameti ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të viteve të fundit te Kukësi, ndërsa pak ditë më parë drejtori i klubit, Nderim Nexhipi, kishte bërë të ditur se ai do të vazhdonte të ishte pjesë e skuadrës së Shpëtim Duros. Por në kundërshtim me këtë, Shameti ka zyrtarizuar “divorcin” me një postim në llogarinë e tij në “facebook”. Mbrojtësi nuk jep arsye, por në fjalët e tij duket qartë se ndarja nuk ka qenë e lehtë.