Trajneri i Interit, Antonio Conte, e ka kritikuar ashpër mënyrën se si klubi i tij është duke e përballuar agjendën e ngarkuar të ndeshjeve, pasi zikaltrit pësuan disfatë me rezultat 3:2 kundër Borussia Dortmundit në Ligën e Kampionëve.

Zikaltrit e Antonio Contes ishin duke kryesuar me rezultat 2:0 në fund të pjesës së parë, mirëpo pësuan tri gola brenda një periudhe 30-minutëshe të pjesës së dytë, duke i rrezikuar shpresat për kualifikim në fazën eliminatore të garës, transmeton Gazeta Express.

Conte ishte mjaft i zemëruar pas përfundimit të kësaj ndeshjeje. Mirëpo, në vend se ta kritikonte skuadrën e tij, ish-trajneri i Chelseat e kritikoi mënyrën se si klubi po e menaxhon agjendën e ngarkuar të ndeshjeve në këtë fazë të sezonit.

“Gabime të mëdha ishin bërë gjatë planifikimit të këtij sezoni. Jam lodhur duke e thënë këtu”, ka thënë Conte, në një intervistë të dhënë për Sky Sports Italia pas ndeshjes.

“Nuk më intereson janari apo shkurti. Ne duhej ta kishim planifikuar këtë sezon shumë më mirë. Ne e dëshmuam se mund t’i nxjerrim probleme të gjithëve kur jemi në formë, por kemi lojtarë që po luajnë gjithmonë. Jam lodhur duke e thënë këtë. Mund t’i nxjerrni vetë përfundimet nga pjesa e dytë”.

“Nuk ka të bëjë me klubin, por puna është që ne duhet të punojmë së bashku dhe gabime të mëdha u bënë. Ne nuk mund të luajmë vazhdimisht në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve, kemi kufij”.

“Jam me të vërtetë i zemëruar sepse nuk mund të bëjmë më shumë sesa kaq. Ne e kemi arritur limitin tonë. Nuk dua as ta komentoj pjesën e dytë të ndeshjes, pasi që ka shumë arsyetime dhe unë s’dua të krijoj edhe të tjera”.

“Disfata më ka irrituar dhe shpresoj ta ketë pasur të njëjtin ndikim edhe te lojtarët e mi. Ne s’mund të bëjmë më shumë sesa të punojmë dhe këtë po e bëjmë. Unë thjesht jam lodhur duke i thënë të njëjtat gjëra vazhdimisht. Shpresoj se një drejtor do të vijë dhe do t’i thotë ato këtu në vend timin”.