Paralelisht me ndërtimin e stadiumit të ri, ka vijuar puna edhe me rindërtimin e sheshit “Italia”. Prej disa muajsh, është punuar me intensitet për realizimin e projektit, dhe tashmë kur pritet edhe inaugurimi i stadiumit “Air Albania”, edhe sheshi do të jetë gati.

Pas shtrimit të pllakave dhe sistemit të gjithë sheshit “Italia”, grupi i punës është fokusuar në realizimin në kohë të gjithë detajeve.

Lajmin e ka dhënë kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa përcjell disa foto nga punimet në shesh, dhe parkingu nëntokësor, tashmë i përfunduar.

“Thuajse gati edhe sheshi “Italia” Ç’nuk u tha për stadiumin! Ja ku jemi sot – një shtëpi dinjitoze për kuqezinjtë e një hapësire moderne për gjithë Tiranën! Stadiumi e sheshi sipër, parkingu e trafiku poshtë! Qytet për njerëzit, jo për makinat! #CitiesForPeople #CarFree”, shkruan kryebashkiaku Veliaj.

Parkimi në Sheshin “Italia” përkrah stadiumit të ri do t’i vijë në ndihmë edhe aktiviteteve të ndryshme që do të zhvillohen në këtë zonë. Po kështu, stadiumi i ri dhe ambientet ndihmëse rreth tij do t’u shërbejnë gjatë gjithë ditëve të javës qytetarëve të Tiranës dhe vizitorëve të shumtë.