Juventusi prej më shumë se një dekade nuk di të kapet i papërgatitur për të ardhmen, duke qenë se ka qenë shumë i vëmendshëm në lidhje me talentet e rinj.

Madje, huazimet dhe shitja e disave prej tyre ka bërë që edhe arkat e klubit të mbushen, aq sa ta rikthejnë “Zonjën e Vjetër” shumë shpejt mes 5-7 klubeve me arkëtimet më të mëdha në botë.

Por edhe goditja e radhës ka ardhur, me drejtorin sportiv Fabio Paratiçi, i cili përgatitet të firmosë me talentin më të madh që ka nxjerrë së fundmi futbolli argjentinas.

Bëhet fjalë për Matias Soule, 16-vjeçarin që Juventusi e ndjek nga fillimi i vitit 2019.

Fantazisti, i cili ka treguar një teknikë mbresëlënëse, ka mjaftuar pak që të etiketohet si “Messi i ri”, edhe falë faktit që luan me këmbën e majtë.

Soule është rritur në radhët e Velezit, por pas këshillës së menaxherit të tij, Martin Guastadizenjo, nuk ka pranuar të firmosë një kontratë prej profesionisti dhe kjo bën që Juventusi ta bëjë të vetin thuajse me parametër zero, duke qenë se do t’i paguajë vetëm një shifër të vogël skuadrës që e ka rritur.

Për argjentinasin ishin interesuar edhe Xhenoa e Monako, por Matias Soule konfirmon se është i dashuruar pas Juventusit, falë edhe joshjes që i është bërë nga Torino dhe shumë shpejt pritet të nënshkruajë me bardhezinjtë.