Krahas funksioneve akademike, Kopshti Botanik në kryeqytet deklarohet se do të kryejë edhe një sërë funksionesh të tjera publike duke i shërbyer të gjithë qytetarëve.

Në një prononcim për TCH, Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, deklaroi se Universiteti i Tiranës nuk e ka mundësinë dhe kapacitetin financiar për të investuar në këtë Kopsht duke e lënë atë në gjendje jo të mirë.

“Ne jemi shumë të gatshëm që të ulemi dhe ta bëjmë atë bashkë. Edhe planin e investimeve dhe mënyrën si do të bëhet, sepse besojmë që ju jeni aktorët që e dini më mirë se çfarë duhet bërë aty. Çfarë është vërtetuar tashmë nga ana historike është që universiteti për fat të keq nuk e ka mundësinë dhe kapacitetin financiar për të investuar në Kopshtin Botanik në mënyrën që ta kthejë atë në një Kopsht i cili të kryejë funksionet akademike. Ta kthejmë plotësisht në një Kopsht që përveç funksioneve akademike të ketë mundësinë të kryejë edhe një seri të tjera funksionesh publike”, tha Mazniku.

Ai nënvizoi se Bashkia e Tiranës është e gatshme, sikurse ka treguar gjatë kësaj kohe, që të ulet në diskutime me përfaqësuesit e universitetit për të bërë një projekt të përbashkët.

“Ne jemi shumë të gatshëm që të ulemi sërish së bashku, të kemi mundësi që të bëjmë një projekt investimesh së bashku ku të jeni ju palët që caktoni,si duhen bërë rrugët e aksesit, kur do të jenë oraret që duhen hapur, cilat zona nuk duhet të jenë të hapura për publikun, cilat zona mund të jenë të hapura për publikun pikërisht që të ruani ato gjëra. Ne mbetemi ende në mbrojtje të kopshtit siç kemi qenë dikur dhe ne besojmë që sot jemi duke tentuar të bëjmë një punë të madhe, së pari për universitetin dhe së dyti për qytetin dhe duke pasur mundësi të bashkëpunojmë për ta bërë së bashku dhe për të gjetur mënyrën si të bashkëpunojmë fort në këtë gjë”, tha Mazniku, teksa shtoi se kushdo që proteston po përdoret politikisht.

“Unë besoj që kushdo që do të jetë në protestë sot është i keqinformuar në rastin më të mirë dhe ka informacion të pjesshëm dhe është i përdorur politikisht në rastin më të keq”, deklaroi nënkryetari Mazniku. Nënkryetari i Bashkisë u shpreh se gjithçka ka qenë e hapur dhe madje janë bërë edhe takime zyrtare me grupet e interesit.

“Nuk kemi të bëjmë me takime informale, por me takime zyrtare. Njëri i thirrur në mënyrë formale nga kryetari i Bashkisë dhe tjetri i thirrur nga ministrja. Projektin duhet të ulemi dhe ta bëjmë bashkë. Ne nuk mund të bëjmë një projekt për Kopshtin Botanik pa pasur angazhimin tuaj”, u shpreh Mazniku.