“Gjermania do të jetë një aleate dhe një mbështetëse për vendimin e hapjes të negociatave me BE”.

Kështu deklaroi Elisabeth Winkelmeier-Becker, anëtare e grupit parlamentar të CDU/CSU, gjatë takimit të zhvilluar në Berlin me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Gjonaj bëri të ditur se e njohu Becker me rezultatet e Reformës në Drejtësi, çka sipas ministres ka parashikuar një formë krejt të re se si funksionon sistemi i drejtësisë në vend.

“Pata kënaqësinë që gjatë vizitës time në Berlin, të zhvilloi një takim miqësor me znj. Elisabeth Winkelmeier-Becker, anëtare e grupit parlamentar të CDU/CSU. E njoha Becker me rezultatet e Reformës në Drejtësi e cila ka parashikuar një formë krejt të re sesi funksionon sistemi i drejtësisë në vend. Kjo reformë në thelb të saj ka reformimin e gjithë sistemit e drejtësisë si dhe e zëvendësimit të magjistratëve, me individë me aftësitë e duhura profesionale dhe integritetin e duhur moral, gjithashtu, nga ana tjetër Reforma në Drejtësi synon garantimin e mirëfunksionimit të gjithë institucioneve të reja dhe atyre ekzistuese të sistemit gjyqësor, në kuadër të një drejtësie të paanshme dhe efektive”, tha Gjonaj.

Nga ana e saj, Elizabeth Winkelmeier-Becker, mirëpriti dhe vlerësoi arritjet e deri më tanishme të Shqipërisë dhe u shpreh se “Gjermania do të jetë një aleate dhe një mbështetëse për vendimin e hapjeve të negociatave me BE”.