Ish trajneri i Real Madridit, Fabio Capello, ka thënë se nëse do të ishte ende trajneri i klubit madrilen, ai do të tentonte ta transferonte yllin argjentinas të Interit, Mauro Icardin, për ta zëvendësuar Cristiano Ronaldon.
Icardi, i cili kishte qenë pjesë e akademisë së Barcelonës La Masia, ka luajtur për Interin që nga viti 2013 dhe ka qenë në dy sezone golashënuesi më i mirë i Serisë A, në sezonin 2014/2015 kishte pasur 22 gola, dhe në sezonin 2017/2018 me 29 gola, transmeton Gazeta Express.

Golashënuesi më i mirë i skuadrës, Cristiano Ronaldo, u largua nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës për t’iu bashkuar skuadrës së Juventusit për 112 milionë euro, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, pas shitjes së tij, klubi madrilen nuk e konsideroi si të nevojshme ta transferonte një lojtar për ta zëvendësuar Ronaldon. Ky vendim tani po rezulton të jetë i gabuar pasi që Real Madridi nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në katër ndeshjet e fundit.

“Jam tifoz i Icardit. Ai është specialist brenda zonës së portierit, siç kishte qenë edhe Cristiano Ronaldo, dhe nëse ia jep atij tri herë topin në atë zonë, atëherë ai do t’i shënojë tri gola”, ka thënë Capello.

“Nëse do të isha ende trajner i Real Madridi, atëherë do ta transferoja atë menjëherë”.