Shefja e operacionit ndërkombëtar të ONM, Genoveva Ruiz Calavera, në një intervistë për Zërin e Amerikës, është shprehur se Vettingu po trondit themelet e një sistemi të korruptuar në Shqipëri.

Ajo mohoi që ky proces të jetë nën ndikime politike, dhe nënvizoi nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë.

“Janë marrë masa serioze për të siguruar ekuilibrat dhe garancitë e nevojshme për pavarësinë e organeve të vetingut, në veçanti për të siguruar mungesën e ndonjë roli vendimmarrës ose përfshirjes së nivelit politik në to. Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë po monitorojnë nga afër çdo hap të vendimmarrjes në të gjitha rastet e vetingut. Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë për ndërhyrje politike ose presion tjetër të padrejtë të jashtëm apo të brendshëm”, tha Calavera.

Zëri i Amerikës: Çfarë, ka arritur të realizojë procesi i rivlerësimit (vettingut) sipas mendimit tuaj, nga krijimi i organeve të vettingut deri më sot?

Genoveva Ruiz Calavera: Forcimi i shtetit ligjor është një përparësi për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Nëse shikojmë situatën në Shqipëri tre vjet më parë kur filloi procesi i rivlerësimit, ne shohim arritje pozitive. Pjesa tjetër e rajonit ndjek nga afër reformat ambicioze në këtë vend për të konsoliduar shtetin ligjor.

Procesi i rivlerësimit (i njohur si vetingu) u fillua me objektivin kushtetues të rikthimit të besimit të publikut në sistemin gjyqësor, duke pastruar radhët e sistemit të drejtësisë nga zyrtarët e korruptuar. Në më pak se dy vjet, pas hetimeve komplekse, institucionet e vetingut tashmë kanë marrë mbi 186 vendime në shkallë të parë, dhe disa të tjera do të miratohen përpara pushimeve të verës. Puna e tyre kryhet në një mënyrë shumë transparente. Seancat dëgjimore janë publike dhe institucionet e mbajnë publikun të informuar për arsyetimin e vendimeve të vetingut. Numri i madh i magjistratëve që japin dorëheqjen ose janë duke u larguar nga puna konfirmon se ky është një proces serioz për rinovimin e gjyqësorit.

Vettingu ka mundësuar krijimin e disa institucioneve të reja, përfshirë Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe dy Këshillat e Lartë – Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Aktualisht përparësia kryesore është vetingu i kandidatëve që do të plotësojnë vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese, si dhe zyrën e re të prokurorisë speciale që do të mandatohet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ne jemi shumë të kënaqur që Komisioni i Emërimeve në Drejtësi ka botuar kohët e fundit listën me katër kandidatët e parë për gjashtë vendet e lira në Gjykatën Kushtetuese. Ne presim që emërimet përfundimtare në këto organe të përfundojnë së shpejti.

Suksesi më i madh i procesit do të jetë kur, pasi të jenë krijuar të gjitha organet e drejtësisë dhe ato të jenë plotësisht funksionale, besimi i të gjithë qytetarëve të Shqipërisë në pavarësinë, përgjegjshmërinë, profesionalizmin dhe paanshmërinë e gjyqësorit do të rikthehet plotësisht.

Zëri i Amerikës: A shkaktoi politika vonesa në proces?

Genoveva Ruiz Calavera: Vetingu është një proçes shumë i dukshëm që tërheq vëmendjen e madhe të mediave. Ne kemi vërejtur se politikanët shpesh kanë bërë deklarata publike dhe komente për punën e institucioneve të pavarura të vettngut, të cilat jo gjithmonë kanë qenë konstruktive. Një nga garancitë kryesore të pavarësisë së procesit është ndarja e qartë midis funksionimit të institucioneve të vetingut dhe nivelit politik. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të gjithë aktorët politikë të respektojnë plotësisht punën e kryer nga institucionet e vetingut dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Ka pasur pohime publike nga Presidenti i Republikës dhe opozita se vetingu po kontrollohet nga partia politike në pushtet. Cili është qëndrimi juaj për pretendime të tilla?

Genoveva Ruiz Calavera: Reforma Kushtetuese u miratua njëzëri në vitin 2016 nga Parlamenti shqiptar. Organet e vetingut u emëruan gjithashtu pak më shumë se dy vjet më parë, bazuar në marrëveshjen e plotë ndërpartiake. Kjo përfaqësonte pikën më të lartë të një angazhimi të fortë të të gjithë aktorëve politikë për të çuar përpara reformën në drejtësi me një proces që do të ishte qartësisht ndërlikuar, por që u vlerësua thelbësor për forcimin e gjyqësorit. Janë marrë masa serioze për të siguruar ekuilibrat dhe garancitë e nevojshme për pavarësinë e organeve të vetingut, në veçanti për të siguruar mungesën e ndonjë roli vendimmarrës ose përfshirjes së nivelit politik në to. Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë po monitorojnë nga afër çdo hap të vendimmarrjes në të gjitha rastet e vetingut. Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë për ndërhyrje politike ose presion tjetër të padrejtë të jashtëm apo të brendshëm.

Zëri i Amerikës: A mendoni se Reforma në Drejtësi po frikëson shumë politikanë dhe zyrtarë të lartë të shtetit dhe se ka ndonjë shans që ne do të shohim në burg ndonjë prej atyre që abuzuan me pushtetin e tyre dhe kanë lidhje me krimin?

Genoveva Ruiz Calavera: Procesi i vetingut ka dhënë një mesazh të fortë për ata që kanë abuzuar me pushtetin e tyre. Sulmet në rritje ndaj reformës në drejtësi dhe vettingut dhe kundër OMN-ës, Vëzhguesve Ndërkombëtarë dhe misionet tona të asistencës së BE-së, në këtë drejtim janë shumë domethënëse. Këto pretendime janë të pabazuara dhe të papranueshme, por ne i shohim ato si një konfirmim që vettingu po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. Shpresojmë që ndryshimi në gjyqësor të forcojë profesionalizmin, aftësinë dhe guximin e magjistratëve të sapoemëruar për të luftuar korrupsionin.

Disa ditë më parë, me rastin e përurimit të Pallatit të ri të Drejtësisë në Tiranë, unë ndoqa një ceremoni diplomimi të Shkollës së Magjistraturës. Unë isha shumë krenare që pashë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj që merrnin detyrën dhe të betoheshin për t’i shërbyer Kushtetutës. I kujtova ata dhe të gjithë të diplomuarit e ardhshëm, por edhe të gjithë magjistratët që kanë dhe do të kalojnë me sukses vetingun, se ata kanë një mundësi të shkëlqyeshme për të hyrë në histori.

Shqipëria ka nevojë për magjistratë që shërbejnë me integritetin maksimal dhe mbajnë një angazhim absolut për ta shndërruar korrupsionin dhe krimin në fenomene që i përkasin së kaluarës. Në këtë aspekt, është gjithashtu thelbësore që institucionet e vetingut t’u raportojnë organeve kompetente veprime të mundshme të abuzimit të detyrës, ose krime të tjera të dyshuara, që dalin nga dosjet e rivlerësimit. Lufta ndaj mosndëshkimit është një përgjegjësi kolektive për të gjitha institucionet dhe qytetarët në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Si ka ndikuar ONM-ja në procesin e vetingut dhe përparimin e tij?

Genoveva Ruiz Calavera: Mbështetja e ONM-së dhe e komunitetit ndërkombëtar ka siguruar besueshmërinë, pavarësinë dhe ecurinë e rregullt të procesit të vetingut, i cili është një pjesë thelbësore e reformës së përgjithshme të drejtësisë. Kjo është pikërisht arsyeja pse të gjitha autoritetet shqiptare dhe palët politike në mënyrë të qartë kërkuan dhe mbështetën gjerësisht mbikëqyrjen e ngushtë të ONM-së mbi procesin në kohën e përfundimit të reformës kushtetuese. Komisioni Evropian është i nderuar të udhëheqë ONM-në në kuadër të të cilit Vëzhguesit Ndërkombëtarë ushtrojnë rolin e tyre të rëndësishëm të mbikëqyrjes duke paraqitur rekomandime dhe opinione, duke përfshirë edhe mendime kundërshtuese, nëse është e nevojshme. Ne i kemi alokuar burime të rëndësishme njerëzore, teknike dhe financiare ONM-së dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në një koordinim të ngushtë me homologun tonë amerikan. Sidoqoftë, duhet të jetë e qartë se përgjegjësia për vendimet përfundimtare dhe përgjegjësinë për procesin e vetingut e kanë plotësisht autoritet shqiptare.

Zëri i Amerikës: Sa kohë do të vazhdojë ONM të mbikëqyrë procesin e verifikimit?

Genoveva Ruiz Calavera: ONM ka një përgjegjësi kushtetuese të mbikëqyrë të gjithë procesin e vetingut. Ne do të sigurojmë praninë tonë në terren për aq kohë sa është e nevojshme dhe do të vazhdojmë të monitorojmë në çdo fazë punën me institucionet e vetingut, me të cilët vëzhguesit tanë kanë krijuar marrëdhënie efektive pune.

Zëri i Amerikës: Si do të vazhdojë BE të mbështesë elementë të tjerë të ardhshëm të përpjekjeve për reformën në drejtësi, siç është ngritja dhe funksionimi i prokurorisë të specializuara antikorrupsion dhe gjykatave? A do të ketë një mision / ekspertë me një rol të ngjashëm me atë të OMN-së të vendosur për të ndihmuar dhe mbikëqyrur punën e këtyre institucioneve gjithashtu?

Genoveva Ruiz Calavera: Në këtë fazë, ne nuk konsiderojmë se vendosja e një misioni tjetër të ngjashëm me ONM-në është e nevojshme, por mbështetja e BE-së për reformën gjyqësore do të vazhdojë, me të gjitha instrumentet në dispozicionin tonë. Për shembull, misioni ynë EURALIUS ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në afrimin e sistemit shqiptar të drejtësisë me standardet evropiane, duke siguruar një mbështetje dhe ekspertizë të vlefshme teknike. Misioni ynë PAMECA është mbështetja e agjencive të zbatimit të ligjit në luftën kundër krimeve të rënda dhe korrupsionit. Këto misione të asistencës së BE-së janë duke punuar ngushtë me agjencitë tona ligjore të BE-së: Eurojust, Frontex, Europol, Cepol për të zhvilluar kapacitetet e autoriteteve shqiptare në përputhje me praktikën më të mirë evropiane. Për më tepër, ne kemi dhënë kohët e fundit 42 milion € nga fondet e BE-së në një program të ri drejtësie që do të ndihmojë në konsolidimin e reformës. Ne gjithashtu do të vazhdojmë të raportojmë në detaje për situatën e Shqipërisë në raportet e Komisionit.

Siç e shihni, angazhimi i BE-së në Shqipëri është i shumëanshëm dhe shumëdimensional sepse ne duam të shohim rezultate konkrete dhe të matshme për realizimin e shtetit të së drejtës. Kjo është jetike për të mbrojtur qytetarët dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik, aq shumë të nevojshëm për të siguruar që brezat e rinj të qëndrojnë në këtë vend të bukur ku kanë lindur pa pasur nevojë të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit.

Kjo është arsyeja pse, në këto periudha të rëndësishme për vendin, BE pret që të gjithë aktorët politikë të tregojnë përkushtim të plotë dhe të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog pa vonesa të mëtejshme. Kjo është mënyra e vetme për të kapërcyer ngërçin politik aktual. Nuk duhet të ketë asnjë kompromis që dëmton vendosjen e shtetit të fortë ligjor në Shqipëri. Kjo do të jetë thelbësore për të përcaktuar mbështetjen e Shteteve Anëtare të BE-së në procesin e zgjerimit./VOA