Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, ndodhet në Bratislavë ku po zhvillohet dita e dytë e takimit të Ministrave të Jashtëm të OSBE-së. Këtij takimi Ministror sot i është bashkuar edhe Kryeministri i RSH-së, Edi Rama.

Sot Shqipëria merr stafetën e drejtimit të Organizatës. Lajmin e ka bërë me dije Ministri Cakaj nëpërmjet një postimi në facebook “Sot në Ministerialin e OSBE-së në Bratislavë Shqipëria zyrtarisht merr Kryesinë e OSBE-së.”

Pas një lobimi të fuqishëm dhe pas një pune kapitale përgatitore nga diplomacia shqiptare, një punë e përkrahur edhe nga aktorë të rëndësishëm evropianë, si në rrafshin politik e programatik ashtu dhe në rrafshin organizativ e logjistik, Shqipëria sot është krejtësisht e gatshme për të udhëhequr një Kryesi të besueshme, bashkëpunuese dhe efektive.