Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka kërkuar nga Tunizia njohjen e menjëhershme të Kosovës. Në kuadër të pjesëmarrjes në Ministerialin e Forumit Rajonal të Unionit për Mesdheun, Cakaj ka zhvilluar një takim me Ministrin e Jashtëm të Tunizisë, Khemaies Jhinaoui.

“Me homologun tunizian nënvizuam rëndësinë e mbajtjes të konsultimeve diplomatike sa më parë dhe përmbylljes të disa marrëveshjeve me ndikim pozitiv në fushën e ekonomisë”, ka theksuar Cakaj. “Shqipëria si kryesuese e Grupit të Kontaktit të Mesdheut ka si prioritet forcimin e bashkëpunimit mes OSBE-së dhe Forumit Rajonal të Unionit për Mesdheun për të thelluar më tej partneritetin mes këtyre dy platformave. Në këtë kontekst, po ashtu theksuam nevojën e një pjesëmarrje sa më të gjerë e sa më të lartë në Konferencën e Mesdheut që do të mbahet në Tiranë”, është shprehur Cakaj.

“Në kuadër të përpjekjeve të Shqipërisë për të forcuar pozicionin ndërkombëtar të Republikës të Kosovës, kërkuam njohjen e menjëhershme të Kosovës dhe mbështetjen e saj në organizata ndërkombëtare”, ka shtuar Cakaj.