Nga Nertil Jole

“Rrugëtimi për Shqipërinë” është forma e re e çadrës së Lulzim Bashës, këtë herë shëtitëse në qytetet e vendit, me misionin shpëtimtar për t’i kthyer shpresën e humbur të rinjëve shqiptarë, sikurse thotë.

Sikur ta përshkruanim kurbën e angazhimit të tij politik së paku nga periudha para marrëveshjes së Majit 2017, do dallonim se ajo nuk ka asnjë trend. Është spontane, pa ide dhe pa koherencë. Atmosfera tallava e çadrës së “Republikës së Re”, historitë “Babale”, thirrjet “Rama ik” në aksione antishtet të shpallura si protesta popullore, dalja triumfale nga sistemi dhe përpjekja për ta minuar atë, “platforma për daljen nga kriza” (cila krizë?) e opozites së bashkuar jashtë institucioneve (zbatoje ose hap krahun!), sot është zëvendësuar me idenë “novatore” të një turi të frymëzuar nga një spot plot ngjyra për Shqipërinë e Tij. Çuditërisht, Shqipëria në atë spot duket vërtet e bukur dhe e bekuar, aspak ashtu siç ai e nxin imazhin e saj para kamerave apo kur ua prezanton te huajve.

Po çfarë po ndodh në fakt dhe çfarë përfaqëson kjo përpjekje?

Rekorde dështimesh të veprimeve të opozites pas zgjedhjeve të 2017, mungesë e theksuar idesh dhe veprime antisistem. Përpjekje kaotike në gjueti kauzash të rastësishme dhe së fundi edhe çakordim brenda koalicionit opozitar. Dikush do zgjedhje qoftë edhe me Ramen kryeministër, një tjetër një lloj komisioni për integrimin, PD zgjedhje të parakohshme pa Ramën. Por të gjithë jashtë institucioneve. Edhe reformën zgjedhore si një kërkesë edhe e partnerëve e duan pa pjesëmarrje nw institucione, por nga podiumet partiake. Kundër gjithë opinionit të institucioneve perëndimore për qëndrimin francez në përpjekje të shëmtuar për të fituar kapital politik. Të shurdhër ndaj thirrjeve të drejtpërdrejta të përfaqesuesit të posaçëm të SHBA për Ballkanin, z. Palmer. Edhe zhvillimet në Kosovë i shohin nga dritaret e Shqup-it.

E gjithë kjo rëmujë opozitare ka vetëm një synim, pengimin dhe shtyrjen sa të jetë e mundur të strukturimit dhe fillimit nga puna të organeve të drejtesisë. Por edhe këtu vendosmëria amerikane u shpreh qartë përmes ambasadorës së re që pritet të vijë në Tiranë.

Në këtë situatë, në përpjekjen kameleone për të ndryshuar imazhin e politikanit që të gjitha dështimet i quan suksese, është jo e vështirë të evidentosh të paktën tre tipare të dallueshme që e karakterizojnë artificialitetin e spikatur të Lulzim Bashës, shfaqur si kandidat për kryeministër.

Tipari i parë që ai ka është mungesa e të qënurit i vërtetë. Kjo e ka bërë të pabesueshëm politikisht për vetë demokratët, e më pas për pjesën gri të shoqërisë, e cila pret të gjejë të mishëruar në misionin e opozitës së vendit dhe drejtuesit të saj një alternativë qeverisëse dinjitoze. Mungesa tipike e vërtetësisë në çdo qëndrim të tij publik, doli në pah së fundmi në formë tërësisht banale edhe kur justifikoi jetesën e re të familjes në dy vila te një zone rezidenciale.

Tipari i dytë që e karakterizon Lulzim Bashën është përkushtimi gati epik për të mos reflektuar kurrë nga dështimet e veta politike. Është shumë kurajoze mënyra sesi ai arrin të demotivojë mbështetësit dhe aleatët e vet, duke i konsideruar humbjet e njëpasnjëshme, si fitore të njëpasnjëshme. Madje, këtë e bën me alibinë se përgjegjësia nuk është asnjëherë e tij, por e të tjerëve. Mundësisht në ndonjë rast kjo përgjegjësi është edhe e popullit, që nuk ia ka besuar atij shumicën për qeverisje.

Kjo mënyrë të menduari dhe vepruari politik, ka sjellë si rezultat një tkurrje progresive të mbështetjes elektorale të partisë demokratike, deri tek absurdi i daljes nga sistemi dhe mbyllja e shtigjeve institucionale për të ndikuar demokratikisht në jetën publike dhe ambientin politik. Ky realitet nuk është i dëmshem vetëm për opozitën, por edhe kosto për shoqërinë në përgjithësi, e cila duhet të ketë në çdo kohë një opozitë të aftë që të monitorojë veprimtarinë e qeverisjes, por edhe ta sfidojë atë me ide e alternativa në mënyrë demokratike.

Tipari i tretë që e karakterizon aspirantin për kryeministër, lidhet me paaftësinë për ta konkurruar me ide dhe program kundërshtarin politik. Nuk dëshiroj të rendis këtu rekordet e tij të punëve të pabëra apo të bëra shumë keq në detyrat që ka mbajtur, por pamundësia e vazhdueshme për të hartuar një manifest politik konkurrues, apo për të afruar dhe angazhuar në skuadrën e tij njerëz që përfaqësojnë vlera, e shfaqin atë si një lider aspak premtues.

Pamundësia per t’u zhveshur nga këto tipare shumë të dallueshme e bën të shfaqet dëshpërimisht i buzëqeshur nëpër spote televizive apo takime, që asesi nuk mund të intimidojne rininë e vendit.

Ndaj, është koha të themi se Shqipëria ka nevojë të ketë një opozitë që e projekton të ardhmen e vendit me sytë e një lideri të ri, që nuk ka së paku këto tipare të Lulzim Bashës dhe as rekordet e suksesit të tij imagjinar.