Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në fjalën e mbajtur në Kuvend tha se me aktin normativ “Mbi rishikimin e ligjit të buxhetit të vitit 2019” Ministrisë së Drejtësisë i janë shtuar 62 milionë e 500 mijë lekë investime.

“Nëpërmjet këtij akti normativ do të jepet mundësia për të vijuar më tej objektivat që udhëheqin punën tonë si në zbatimin e Reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rritjen e sigurisë në institucionet penitenciare si dhe vijimin e investimeve dhe modernizimit të sistemeve.

Me këtë akt normativ që po diskutojmë sot “Mbi rishikimin e ligjit të buxhetit të vitit 2019” në total Ministrisë së Drejtësisë i janë shtuar 62 milionë e 500 mijë lekë investime të brendshme, duke rialokuar dhe mirëmenaxhuar një pjesë të shpenzimeve korente të pashpenzuara kjo falë edhe mirëmanxhimit që ju është bërë fondeve.

Projekti i investimit për ndërtimin e arkivit elektronik, motorrit të kërkimit të Qendrës së botimeve zyrtare do të jetë pjesë e këtij akti normativ për të bërë të mundur modernizimin e sistemit dhe lehtësimin në aksesimin e akteve, si dhe informimin më mirë të publikut.

Gjithashtu një fond i konsiderueshëm i është rialokuar Drejtorisë së përgjithshme të burgjeve për investim dhe shërbim në pajisje të ndryshme sigurie për sistemin e burgjeve,” u shpreh Gjonaj.

Për vitin 2019, buxheti i parashikuar për Ministrinë e Drejtësisë është në total 12 miliardë 401 milionë e 756 mijë lekë. Ky buxhet, i krahasuar me buxhetin e vitit 2018 është rritur me 14%.

Nëpërmjet ngritjes së Drejtorisë së Ndihmës Juridike të ofruar nga shteti, Ministria e Drejtësisë, siguron aksesin ne organet e drejtësisë, për të gjithë përdoruesit e sistemit pavarësisht mundësive financiare (përdorimin e sistemit nga shtresat në nevojë. Ministria e Drejtësisë në këtë projekt nëpërmjet buxhetit angazhoi 89 milionë lekë,.

“Këtë vit pati një vëmendje më të shtuar të institucioneve shqiptare në garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Përpjekjet e institucioneve të drejtësisë u fokusuan jo vetëm në garantimin e aksesit në drejtësi të të miturit, por edhe në garantimin e të drejtave të tjera të fëmijëve, të bashkërenduara me institucionet e linjës.

Për këtë qëllim u hartua dhe është në fuqi Strategjia e Drejtësisë për të Miturit e cila përbën dokumentin e parë të politikave të Qeverisë Shqiptare që përcakton shtyllat bazë të reformës së drejtësisë për të miturit duke i dhënë vëmendjen që duhet,” tha ministrja e Drejtësisë.

Konkretisht Ministria e Drejtësisë gjatë vitit 2019 angazhoi 140 milion lekë në ngritjen e institucioneve të reja si Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, institucion ky i konceptuar si një mekanizëm në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, i cili do të hartojë programe parandaluese dhe do të mbikëqyrë për një periudhë 6-mujore të miturit pas përfundimit të dënimit.

“Në sistemin penitenciar përveç reformës në rekrutimin e drejtuesve të burgjeve si dhe të stafit policor dhe civil, ne jemi të vendosur për të përmirësuar kushtet dhe trajtimin e të dënuarve. Për këtë qëllim buxheti i Ministrisë së Drejtësisë gjatë vitit 2019 parashikoi për programin e burgjeve 5 miliardë e 853 milionë e 174 mijë lekë.

Gjatë vitit 2019 pajisëm pas 10 vitesh personelin policor të burgjeve me uniformë. 3.559 punonjës policie. Po ashtu pagat e punonjësve të Policisë së Burgjeve për vitin 2019 janë rritur me 7% ose rreth 181 milionë lekë. Dëshiroj të theksoj se kjo është rritja e parë që ju bëhet pas kaq shumë vitesh.

Në sajë të rritjes së kërkesës për realizimin e investimeve prej 429 milionë të akorduara për vitin 2019 për Drejtorinë Burgjeve është bërë e mundur përmirësimi i kushteve dhe rritja e sigurisë.

Në fushën e përmirësimit të infrastrukturës ndërtimore, janë realizuar disa projekte për rikonstruksionet në IEVP të ndryshme dhe në DPB në vlerën 190 milionë lekë për vitin 2019.

Për sistemin penitenciar u vunë në dispozicion 95.5 milionë lekë për forcimin e sigurisë me ngritjen e sallës operative, e cila do të mund të garantojë aksesin 24 orë të disa trupave në kamerat dhe skanerët e institucioneve penitenciare, duke e konsideruar projekti i “4 syve”.

Kjo ndikoi dukshëm gjatë vitit 2019 në mirëmenaxhimin dhe kontrollin me efikasitet e në kohë reale të të gjithë sistemit penitenciar në Shqipëri,” u shpreh Gjonaj.

Ndër të tjera ajo veçoi dhe nismën dhe angazhimin e Qeverisë Shqiptare në luftën kundër korrupsionit, një punë që ka filluar prej 2018 me ngritjen e Task Forcës Antikorrupsion dhe po vijohet më tej me ngritjen e Strukturës Antikorrupsion e cila do të koordinojë çdo rast të ardhur nga 16 Agjencitë e përzgjedhura në të gjithë vendin.