Nga Teodor Kajsiu/

Në një intervistë mbrëmjen e djeshme, Ilir Meta foli me statusin e Presidentit të Republikës për disa çështje aktuale në vend, siç është ajo e dekretimit të Ministrit të Ri të Brendshëm, Sandër Lleshi.
Iliri që pamë dje, është fytyra e vërtetë e burrit të vogël të politikës, që fshihet pas kostumit të Presidentit: një larvë politike që çdo pozicion shtetëror e përdor për pazaret e veta.

Dje pamë se si Ilir Meta e degradoi statusin e lartë që mban, teksa fliste si të ishte kryetari i vërtetë i LSI-së së vogël, të pazareve të mëdha. Një pazar të ri, Ilir Meta me sa duket po kërkon ta bëjë duke shfrytëzuar pikërisht postin e Presidentit të Republikës.

E gjithë kjo pritje e publikut për dekretimin si Ministër të një prej figurave më me integritet të jetës sonë publike, Sandër Lleshi, është sinjali se Meta po kërkon një pazar me Edi Ramën.
Po një situatë e ngjashme ndodhi kur Bujar Nishani ishte president. Nishani ishte i mendimit që Xhafaj nuk duhej të ishte Ministër i Brendshëm, por e emëroi atë sepse Kushtetuta e detyronte ta bënte.
Por Ilir Meta nuk është si gjithë ish Presidentët, ai nuk pyet as për Kushtetutë e as për moralizma në politikë. Nuk pyeti për Kushtetutë e për ligj sa herë u përfshi në skandale korruptive, e as për moral sa herë është ribashkuar më ata mbi të cilët ka pështyrë.

Flirti më i fundit, i pamoralshëm sa më s’ka, i Metës, ndodhi me ish armikun Tom Doshi. Ilir Meta është filmuar duke ngrënë e pirë me një njeri që dje e akuzonte Presidentin si porositësin e vrasjes së tij.

Nëse ky ribashkim tregon shumë për moralin karakterial dhe politik të Ilir Metës, qëndrimi i tij lidhur me dekretimin e Ministrit të ri, tregon akoma më shumë se institucioni i presidencës ka rënë!

Presidenca ka rënë në gjunjët e gruas së Ilir Metës, burrecit që herë fshihet pas çizmeve të gruas, e herë nxjerr kokën mbi kostumin e Presidentit, për të kërkuar ndonjë pazar!