Shqipëria dhe Kosova kanë pasur fërkime që herët për lojtarët e spikatur, që donin t’i bënin pjesë të tyre. Bëhet fjalë për futbollistë të diasporës, të rritur e formuar jashtë vendit.

Ish-trajneri i “Dardanëve”, Albert Bunjaku, ka zbuluar një prapaskenë, ku përfshin ish-kolegët e tij kuqezinj, De Biasi dhe Tramezzani, e ndodhur para miqësores Kosovë-Shqipëri, e luajtur në Prishtinë.

Duke folur për “Reporteri.net”, trajneri i parë i kombëtares së Kosovës ka thënë se pala shqiptare u soll shumë keq në vitin 2015, në Prishtinë, teksa kishte tentuar t’i bindë disa lojtarë verdhekaltër që të luanin për ngjyrat kuqezi:

“Ajo ndeshje miqësore u luajt në Prishtinë dhe përfundoi me barazimin 2-2. Gianni De Biasi bëri disa lojëra aspak të mira gjatë qëndrimit në hotelin “Emerald”.

Ai, bashkë me Tramezzanin iu kishin hyrë në dhoma të hotelit lojtarëve të Kosovës, saktësisht Hekuran Kryeziut dhe Bersant Celinës, duke u përpjekur t’i bindin që të luanin për Shqipërinë.

Të dyja kombëtaret ishin sistemuar në të njëjtin hotel. Çka nuk më ka pëlqyer është se në mbrëmje ka pas aktivitete prej dy trajnerëve, De Biassi e Tramezzani.

D.m.th, ajo sjellje e tyre nuk më ka pëlqyer, sepse ne ishim në fazën e krijimit të themeleve të kombëtares së Kosovës.

Shqipëria jo i kishte kriju themelet, por ndërtoi katin e parë. Me kualifikimin në Europianin e Francës, për mendimin tim kishte ndërtu edhe katin e dytë.

Pra, ne me e ndihmu me kriju edhe katin e tretë, sikur nuk shkonte. Meqenëse e kisha atë detyrë, me kriju kombëtaren e Kosovës, për mua ka qenë e rëndësishme të mbështetesha te Bersant Celina, Hekuran Kryeziu e lojtarët e asaj kohe.

Po, De Biassi ka tentu me i bind me iu bashku Shqipërisë, edhe pse ne e kemi ditë që po pranohemi në UEFA e FIFA dhe kjo për mua ka qenë pak e rëndë”.