Bujar Kapexhiu, ka qenë një ndër të pranishmit në ngritjen e memorialit turk në Tiranë.

Ai ka shpjeguar për “Panorama” pse ka marrë pjesë dhe shprehet i indinjuar, sidomos për heshtjen e shoqërisë civile, të intelektualëve, të cilët nuk duhet të mjaftohen me fjalë kafeneje, për nderimin e atyre që kanë luftuar për liri.

Ngritja e një memoriali për nder të të rënëve gjatë grushtit të shtetit në Turqi ka ngjallur jo pak debate. Ç’përfaqëson për ju ai memorial?

Ky memorial është ngritur për të nderuar njerëz, të cilët dhanë jetën për vendin e tyre. Ata u ngritën për të mbrojtur lirinë dhe prosperitetin e vendit të tyre dhe ky rast duhet të shërbejë si shembull se si duhen nderuar të gjithë ata njerëz të cilët sakrifikojnë për vendin e tyre.

Ju ishit i pranishëm në atë ceremoni…

Unë isha i pranishëm në këtë ceremoni si përfaqësues i shoqërisë civile, si përfaqësues i disa shoqatave, duke qenë që unë jam kryetar i shoqatës “Bashkësia Dibrane”. Unë e shoh si një shembull për ngritjen e memorialëve për të gjithë ata njerëz që e meritojnë, që kanë dhënë jetën për vendin e tyre, pasi ne kemi shumë mangësi në këtë drejtim. Edhe ju sapo e thatë që jemi përballë një kontradikte: nderojmë të rënët në një shtet tjetër, ndërsa nuk kemi ende një memorial për viktimat e diktaturës komuniste.

A nuk do të ishte më e drejtë të nderonim dhe kujtonim më së pari të rënët tanë?

Kjo që thoni është e vërtetë. Ne ndërtojmë memorialë për të tjerët, por jo për veten tonë, për të gjithë ata njerëz që u rraskapitën dhe u vranë nën regjimin e kaluar. Dhe për këtë faji është yni. Nëse Ambasada Turke nderon jetën dhe veprën e shtetasve të vet, do të thotë se ajo interesohet dhe vlerëson njerëzit e vet, ndërsa ne nuk e bëjmë këtë. Këtu kanë ardhur grekët për të nderuar njerëzit e vet, anglezët, gjermanët… po ne çfarë bëjmë?! Le të kemi edhe ne memorialë, monumente, buste në të gjithë Shqipërinë për të nderuar kujtimin e atyre njerëzve që vuajtën dhe u zhdukën nga ai regjim diktatorial. Të rënët që nderohen në atë memorial, u ngritën për të mbrojtur Republikën e Turqisë nga një komplot. Le të ngrihemi edhe ne për të mbrojtur lirinë dhe prosperitetin e vendit tonë, për të kërkuar të drejtat tona, për të kundërshtuar çdo lloj diktature, për të kundërshtuar të padrejtën. Por, fatkeqësisht, ne heshtim. Çuditërisht, ajo e quajtura shoqëria civile hesht, intelektualët nuk flasin. Ose janë të shitur, ose kanë frikë. Nëpër kafene ata flasin, ngrenë zërin, por ama përtojnë të dalin në bulevard për të protestuar kundër padrejtësive.

Përse ndodh kjo?

Kanë frikë. A e dini se kam dëgjuar njerëz që nuk dalin të protestojnë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, pasi kanë frikë se i heqin gruan nga puna, vajzën, të afërmit… Dhe kështu janë të detyruar të heshtin dhe të mos ngrihen kundër imoralitetit. Dhe kjo është diktatura. Pse të arrijmë ne në këtë gjendje?! Njerëzit kanë frikë të ngrihen sepse e pësojnë nga kjo qeveri, nga ky pushtet… Dhe, besomëni, kjo është një situatë irrituese, ndërsa ne kemi nevojë për paqe. Kemi nevojë të shpërndajmë vetëm mesazhe mirësie.