Banka e Shqipërisë analizon zhvillimet në tregun valutor, duke arritur në konkluzionin se nuk pritet të ketë luhatje të ngjashme dhe kursi i këmbimit valutor do të shkojë drejt stabilizimit.

Banka Qendrore pret që tendenca e mbiçmimit vjetor të lekut të reduktohet gradualisht. Për periudhën maj-qershor, ky mbiçmim ishte 3,1%, ndërsa në fund të vitit 2018 kishte arritur nivelin maksimal prej 7,4%. Në vitet e fundit, evidentohet një mbiçmim sezonal më i hershëm i lekut në muajt e verës. Forcimi karakteristik i lekut është zhvendosur pjesërisht nga muaji korrik në muajt qershor, maj dhe deri-diku edhe në prill, çka përkon edhe me një fillim më të hershëm të sezonit turistik.

Banka e Shqipërisë gjykon se faktorët fondamentalë nuk mbështesin forcim të shpejtë e të mëtejshëm të kursit të lekut kundrejt euros, në ndryshim nga situata e vitit të shkuar. Pritshmëritë për një kurs më të stabilizuar mbështeten edhe në të dhënat që vijnë nga tregu valutor, që vlerësohet se po funksionon brenda parametrave normalë.

Aktualisht, kursi i këmbimit të euros është pranë nivelit të 121 lekëve, rreth 5 lekë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.